Gjykata Speciale

207 mijë euro për viktimat e Mustafës, KMLDNj: Specialja ka bazë të gabuar ligjore


Ilustrim

Për Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë nuk kanë asnjë bazë ligjore për kompensimin e viktimave dhe për këtë arsye Qeveria e Kosovës nuk mund të ngarkohet me detyrime që nuk janë të rregulluara me ligj.

Gjykata Special përmes një vendimi të enjten kishte urdhëruar ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, i cili u dënua me 26 vjet burg për shkak të vrasjes së paligjshme, ndalimit arbitrar dhe torturës, të paguaj 207 mijë euro si zhdëmtim për tri viktimat e tij të drejtpërdrejta dhe pesë jo të drejtpërdrejta.

Megjithatë sipas KMLDNj-së, vendimi i kësaj gjykate e ka bazën e gabuar ligjore, pasi aty nuk përmendet mundësia që as drejtpërdrejtë e as në mënyrë të tërthortë të bëhet zhdëmtimi i viktimave.

“Aktualisht nuk ka asnjë bazë ligjore që do të zhdëmtojë apo kompensojë në baza mujore viktimat e supozuara nga UÇK-ë dhe, rrjedhimisht për këtë arsye qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Drejtësisë nuk mund të ngarkohet me detyrime që nuk janë të rregulluara me Ligj”, thuhet fillimisht në njoftimin e KMLDNj-së.

Ilustrim: Salih Mustafa

Për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Speciale, sipas KMLDNj-së duhet të krijohet një bazë ligjore sikur që edhe ekspertët nga Kosova duhet të ngarkohen me përgjegjësi me përcaktimin e shumës së zhdëmtimit.

“Sipas ligjeve të Kosovës ekzekutimi i zhdëmtimit duhet të bëhet përmes procesit të përmbarimit ndërsa Gjykata Speciale nuk ka përmbarues të saj në ndërkohë që nuk i beson asnjë institucioni të Kosovës përfshirë këtu edhe përmbaruesit prandaj kërkon të formohet një autoritet mbikëqyrës për zbatim të urdhërit për dëmshpërblim”, vazhdon njoftimi.

Shuma 207 mijë euro që është caktuar si dëmshpërblim të viktimave në çështjen gjyqësore kundër Salih Mustafës, është e shpërndarë në 30 mijë euro për viktimën numër 8, 80 mijë euro për viktimën numër 9, 60 mijë euro për viktimën numër 10, kurse për viktimat numër 5,6 dhe 12 është ndarë shuma 10 mijë euro, për viktimën numër 11 është ndarë shuma prej 5 mijë dhe shuma prej 2 mijë për viktimën numër 13.

Megjithatë Specialja ka konstatuar se aktualisht Salih Mustafa nuk i zotëron mjetet për të bërë këtë pagesë prandaj pritet përcaktimi i një autoriteti mbikëqyrës në lidhje me zbatimin e urdhrit.

Nëse nuk ka asnjë mundësi që Salih Mustafa të zhdëmtojë viktimat, si opsion atëherë zhdëmtimi do të bëhet nga buxheti i Kosovës përmes Ministrisë së Drejtësisë.

207 mijë euro urdhërohet të paguajë Salih Mustafa për zhdëmtim të viktimave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore