Shqipëria

2022 nis pa incidente në Shqipëri, Nano: Ky vit fillon me këmbë të mbarë


Ka nisur me këmbë të mbarë ky vit i ri 2022 sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i cili në natën e ndërrimit të viteve, ka gjetur rastin të falënderojë efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët kanë qenë në detyrë gjatë gjithë kohës, për të siguruar qetësi në rendin publik.

I vetmi incident i shënuar, ka qenë ai i marrjes flakë të një banese, në zonën kryeqytetëse të njohur si “Don Bosko”.

Sipas Nanos, apartamenti ka qenë pa persona brenda në çastin e rënies së zjarrit. Megjithatë, forcat zjarrëfikëse kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Dëmet e vetme të konstatuara, kanë qenë ato materiale.

Mbi respektimin e masave anti-COVID, kryepolici tha se respektimi i tyre është shumë i rëndësishëm. Por, gjatë natës së ndërrimit të viteve, duke parë edhe lejimin e qarkullimit përtej orës policore, njerëzit kanë krijuar një atmosferë festive.

Përtej natës së ndërrimit të viteve, situata me kontrollet do të kthehet në normalitet vetëm një ditë më pas, me rikthimin në fuqi të orës policore.

Ajo do të vijojë të mbetet prej 23:00 deri në 06:00.

Një urim ka shkuar sakaq nga Nano për gjithë shqiptarët, e mbi të gjitha për ata të cilëve u është dashur të punojnë gjatë natës festive.

Probleme me mjetet piroteknike nuk ka pasur sipas tij. Aq më pak evidentim të ngjarjeve kriminale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore