Lajme

19 ditë akuza, asnjë ditë mësim


Greva arsimore në Kosovë ka hyrë në ditën e saj të 19-të të hënën e 12 shtatorit.

Kjo, pasi ballafaqimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli rezultoi i pasuksesshëm.

Lajmi u bë i ditur pas takimit, duke cituar komunikatën e Këshillit Grevist të Kosovës.

“Hykolli ka informuar pjesëmarrësit e këtij takimi për ato që janë debatuar me kryeministrin Kurti e pastaj është hapur debat konstruktiv lidhur me këtë”, tregonte komunikata.

Sipas saj, qëndrimi unanim i pjesëmarrësve të takimit ishte që qeveria duhet të ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së.

Ky i fundit shihet prej tyre si organi legjitim për të menaxhuar grevën dhe për të zhvilluar dialog me palën tjetër.

“Gjersa Qeveria nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve greva do të vazhdojë”, theksonte deklarata zyrtare.

Anetare nga Keshilli Grevist

Në komunikatë gjithashtu ritheksohet se “greva erdhi si pasojë e mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog dhe se greva po ndodh duke u respektuar zëri dhe vullneti i anëtarësisë, e cila edhe do të vendos çka tutje”.

Ku qëndron problemi?

Grevistët duan që Kurti të takohet me Këshillin Grevist të BSPK-së, por kryeministri refuzon, pasi kryetar i këtij Këshilli është Rrahman Jasharaj.

Kurti nuk do takim me Jasharajn.

Përse e refuzon nuk ka treguar asnjëherë, por i pyetur vetë Jasharaj se çfarë mund të ketë kryeministri me të, ai ka deklaruar se “nuk e di, përveç se në një takim me ka pas thënë ‘e di unë me kënd je ti’, tjetër gjë nuk di”.

Çfarë duan grevistët?

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Ata thonë se për nëntë muaj rresht kanë kërkuar takim me Kurtin, por ai nuk i ka pranuar.

Gjithashtu, Jasharaj kishte deklaruar se i kanë dërguar 83 shkresa në qeveri dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

Çfarë do qeveria?

Qeveria do që grevistët ta ndalin grevën, por pa ua plotësuar kërkesën për rritje page, pa e procedura ligjin për pagat me procedurë të shpejtë dhe pa pranuar që të takohet me ta.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka lëshuar një komunikatë për media, ku thotë se takimet nuk kanë munguar.

Perparim Kryeziu

Por, grevistët duan që kryeministri, përveç Hykollit që është kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të takohet me Jasharajn e SBASHK-ut.

SBASHK-un nuk ka pranuar që ta takojë as Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ata janë pranuar në takim vetëm nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arberi Nagavci.

Por, ajo është e pafuqishme të bëjë ndonjë zgjidhje në kërkesat e tyre, meqë ata duan rritje pagash.

“Komunikim ka pasur. Takime ka pasur”, shkruan Kryeziu në llogarinë e tij në Facebook.

“Pjesa më e madhe kërkesave sindikale janë adresuar ose janë duke u adresuar. Mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë dhe gatishmëria nga sindikatat për ecur përpara”.

Si filloi greva?

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove. Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Vendimin e njëjtë e përforcoi ministri i Financave, Hekuran Murati në një paraqitje publike, ku kumtoi lajmin se dikasteri të cilën ai drejton nuk ka bërë në tërësi ekzekutimin e pagave në sektorin publik, me pretekstin se nuk ka arritur të përditësojë listat e pagave, pasi disa nga shërbyesit civil janë në grevë dhe nuk paraqiten në punë.

Pra pagat, sipas Muratit, janë procesuar vetëm atyre organizatave buxhetore që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave të përditësuar.

“Siç e dini greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK-ja në fund të muajit gusht, ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga grevat, për këtë arsye kemi kërkuar përditësimin e listave të grevistëve ashtu që të respektohet neni 18.1 të ligjit për grevat”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“Mirëpo meqenëse përditësimi i listave të pagave nuk ka arritur të ndodh me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur që të procesohen edhe me pagat e tyre në ditën e sotme”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore