Lajme

13 persona vdesin pasi një varkë turistike u fundos në brigjet e Vietnamit


Të paktën 13 persona u mbytën dhe katër të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë turistike u përmbys të shtunën e 26 shkurtit, pasi moti i keq goditi brigjet e Hoi An, një qytet vietnamez i listuar në listën e trashëgimisë botërore, shkruan The Guardian.

Aksidenti ndodhi kur anija me 39 turistë vendas dhe anëtarë të ekuipazhit po kthehej në Hoi An nga ishulli Cu Lao Cham – një vend i njohur për zhytje.

Shefi i Partisë Komuniste Lokale Nguyen Sinh, konfirmoi se 13 persona ishin mbytur dhe katër ishin të zhdukur.

“Ne nuk mund të bëjmë asgjë më tej pasi është shumë errësirë,” tha ai, duke shtuar se do të kryhej një hetim i plotë, derisa disa të mbijetuar po merrnin trajtim mjekësor.

Një roje kufitare lokale tha se mes të zhdukurve ishin dy fëmijë.

“Shanset që ata të gjenden të gjallë janë të vogla”, tha ai.

“Kishte mot të ashpër – erëra të forta dhe dallgë të mëdha ditët e fundit”, tha ai.

Plazhet me rërë të Hoi An dhe arkitektura e bukur janë një tërheqje e madhe për udhëtarët vendas dhe ndërkombëtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore