Shqipëria

1200 punonjës fasonerie kanë humbur punën në 24 orë, denoncon PD


Eno Bozdo, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, ka deklaruar se referuar të dhënave të Shoqatës së Fasonistëve, vetëm në 48 orët e fundit, kanë humbur vendin e punës 1 mijë e 200 punonjës.

Ai ka thënë se ky sektor e ka të vështirë të mbijetojë në treg pas zhvlerësimit të euros, aq më tepër kur kërkesat e vazhdueshme për subvencione, nuk janë dëgjuar nga qeveria.

“Në 48 orët e fundit, siç raporton edhe Shoqata e Fasonistëve, 1 mijë e 200 punonjës të kësaj industrie kanë humbur punën, e bashkë me të, të ardhurat për të mbajtur familjet e tyre. Pra vetëm në 48 orë, edhe 1 mijë e 200 familje i janë shtuar shtresës së varfër në Shqipëri, që përben 33% të popullatës së vendit”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo është “kronika që të lë pa fjalë, e agonisë falimentuese të një industrie të tërë, industrisë eksportuese fasoniste, e cila jo për faj të saj, por për faktin e zhvlerësimit me afro 25% të euros që nga viti 2018, nuk mundet dot më të konkurrojë në tregjet evropiane”.

Bozdo thekson se përballë thirrjeve dëshpëruese për mbështetje të përfaqësuesve të kësaj industrie, “ka qëndruar vesh shurdhër qeveria, e cila jo vetëm nuk ka afruar asnjë ndihmë, por është duke vështruar me gjakftohtësi sesi po zhduket një sektor i tërë i ekonomisë eksportuese”.

Ai ka vijuar duke thënë se fasoneria është kontribuuesi i tretë më i rëndësishëm në bilancin e tregtar të vendit, pas turizmit dhe remitancave. Ajo punëson drejtpërsëdrejti 75 mijë persona dhe përbën rreth 35% të eksporteve totale të Shqipërisë.

“Por fluksi i pafund i parave të pista që pastrohen në Shqipëri veçanërisht në industrinë e ndërtimit, ka rrënuar euron e bashkë me të aftësinë konkurrues në treg të kësaj industrie. Qeveria e njeh këtë situatë plotësisht, dhe me ndërgjegje të plotë zgjedh pastrimin e parave në vend të ekzistencës së 75 mijë familjeve shqiptare që mbahen nga kjo industri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore