Kosova

11 euro më pak në sektorin privat dhe 208 euro më shumë në sektorin publik është bilanci i rrogave në vitin pandemik në Kosovë


Mbyllja dhe reduktimi i aktivitetit të sektorit privat, si rezultat i masave anti COVID, të ndërmarra nga Qeveria, ka bërë që paga mesatare bruto dhe neto në këtë sektor të ketë rënie.

Të punësuarit në sektorin privat, tash marrin pagë mesatare bruto, për 11 euro më pak.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, njofton se në vitin 2020, pagat mesatare bruto në Kosove ishin 466 euro, derisa në vitin 2019 ishin 477 euro”.

Ndërsa neto, paga mesatare ka pësuar rënie për 14 euro.

“Paga neto, në vitin 2020 ishte 416 euro, krahasuar me vitin 2019 e cila ishte 430 euro”.

Por sektori publik nuk është dëmtuar fare nga gjendja e rëndë ekonomike, në periudhën pandemike. Përkundër, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare bruto dhe neto në sektorin publik si administrata e ndërmarrjet publik, kishte pësuar rritje për 208 euro, ose 37.1%

“Paga mesatare bruto në sektorin e ndërmarrjeve publike në vitin 2012 ishte 561 Euro, derisa në vitin 2020 ishte 769 Euro”.

Ndërsa në neto, rritja është shënuar për 178 euro, ose 35.5%.

“Ndërsa, paga mesatare neto nga 502 Euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 680 Euro në vitin 2020”.

Pagat më të larta në Kosovë i marrin të punësuarit në ndërmarrje publike.

“Paga mesatare bruto në vitin 2020, sipas aktiviteteve ekonomike, më e larta ishte te furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (956 Euro); dhe Informim dhe komunikimi (697 Euro). Derisa, paga më e ulët ishte te akomodimi dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim (218 Euro)”, thuhet në komunikatën e agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Ndërsa në neto, paga mesatare për vitin 2020, sipas aktiviteteve ekonomike, ka të njëjtën renditje si ato bruto, me pak dallime. Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (842 Euro), Informim dhe komunikim (616 Euro) dhe akomodimi e aktivitete të shërbimeve me ushqim (200 Euro).

Rritjen e pagave në sektorin publik, njohësit e ekonomisë e vlerësojnë nga fakti se ky sektor është i pavarur dhe nuk determinohen nga ndryshimet e statusit ekonomik të shtetit.

“Ky konsiderim që sektori publik ka pasur një rritje të pagave është pasi që nuk kanë pasur barriera nga askush nuk pyesin askënd për asgjë”, ka thënë Ragip Skenderi, Profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, për Albanian Post.

Ndërsa për sektorin privat, Skenderi thotë se “ata janë ankuar që këtë kohë nuk kanë pasur aktivitete ekonomike. Performanca e tyre ka qenë e dobët, prandaj e kanë marrë si pretekst uljen e pagave shkaku i pandemisë”.

Tutje, Skenderi ka shtuar se për këtë mund të ketë edhe një marrëveshje mes punëtoreve privat dhe pronarit të tyre.

“Duke kërkuar mbështetje nga shteti sektori privat, konsiderohet se kanë krijuar një marrëveshje me njëri-tjetrin kushtimisht, në atë kuptim se më mirë të ju japim diçka se sa t’i largojmë nga puna, ky është preteksti që e kanë ngritur për ulje të pagave”, deklaron Skenderi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore