Lajme

10 vjet burg përdhunuesit Vukotiç – Serbia e quan “vendim i turpshëm”


Zoran Vukotiç

Qeveria e Serbisë përmes Zyrës së saj për Kosovën, ka reaguar për dënimin të ish-rezervistit serb në kohën e luftës, Zoran Vukotiç, me 10 vite burgim për kryerjen e krimit të dhunës seksuale.

Për Serbinë, “ky është vendim i turpshëm”.

“Ishte e qartë se vendimi kundër Vukotiçit ishte marrë para se të konfirmohej zyrtarisht dhe se ai duhet të kishte shërbyer si shembull e argument për partitë politike në Prishtinë”, thuhet në reagimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Kjo zyrë e ka quajtur edhe politik vendimin dhe këtë e ka lidhur me reagimin që ka bërë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për rastin.

Ndërkaq sipas aktakuzës, Vukotiç si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e komunës së Vushtrrisë.

“Ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore”, thuhet në aktakuzë.

Ndërkohë ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga gjykatat vendore.

Ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankesë në Gjykatën e Apelit. Numri i viktimave të dhunës gjatë luftës së fundit në Kosovë mendohet të jetë rreth 20 mijë persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore