Lajme

Vuçiç s’beson se Kurti do ta çojë draft-statutin në kushtetuese deri më 10 maj: S’e bënë për 11 vjet – ky është truku i radhës


Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, derisa u është drejtuar mediave të dielen pas një ceremonie ushtarake, njoftoi të ketë kërkuar nga liderët evropianë që ta rishqyrtojnë vendimin për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në prag të vendimmarrjes ku pritet që Kosova ta kalojë fazën parafinale në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Kam shkruar 14 letra të personalizuara. Secilën prej tyre ua kam drejtuar njohësve dhe mosnjohësve. Sidomos atyre vendeve që konsiderohen më me ndikim. Të gjitha ato letra janë përcjellë. Në ato letra kam kërkuar që të rishqyrtojnë vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, deklaroi presidenti serb, raportoi agjencia serbe e lajmeve “B92” të dielen.

Vuçiç pretendoi se miratimi i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është kusht i Kosovës për ta fituar anëtarësimin në Këshillin e Evropës, por përkundër se nuk është konfirmuar nga Qeveria e Kosovës, ai shtoi se kryeministri kosovar, Albin Kurti, synon që ta përdorë “këtë truk” të dërgimit të draft-statutin për rishikim të kushtetutshmërisë.

“Është e qartë se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit, atje ushtrohet terror dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është formuar as pas 11 vitesh. Unë konkretisht përmenda trukun që do të përdoret më 10 maj kur do ta dërgojnë draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese”, pretendoi ndër të tjera presidenti serb.

Qeveria e Kosovës është pajtuar parimisht me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që do ta marrë me 16 prill kur Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës do të votojë pozitivisht për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, atëherë deri me 10 maj, autoritetet kosovare e dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për këtë mekanizëm.

Asociacioni deri me 10 maj në Gjykatën Kushtetuese?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore