Shqipëria

Vështirësohet qarkullimi në Rrugën e Arbrit nga reshjet e borës


Reshjet e borës që kanë nisur në orët e para të ditës së sotme kanë bërë që të vështirësohet qarkullimi i automjeteve në rrugën e Arbrit nga Bulqiza në drejtim të urës së Vashës.

Trashësia e borës ka arritur deri në 5 centimetra.

Momentalisht në rrugë nuk ka asnjë borëpastruese ndërsa autoritetet vendore ju bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregohen të kujdesshëm.

Policia Rrugore e Dibrës ka dalë në pikat kyçe ku mund të ketë probleme, duke këshilluar drejtuesit e mjeteve që të ulin shpejtësinë dhe të tregohen të kujdesshëm.

Moti i keq është rikthyer sërish në të gjithë territorin e vendit tonë ku prej dy ditësh ka pasur dhe reshje dëbore, veçanërisht në veri.

Ndërsa, reshje intensive shiu ka pasur në qytete tjera të vendit.

Ditën e sotme reshjet e dëborës kanë nisur dhe në Shkodër, por situata s’është problematike.

Borëpastrueset dhe punëtorë të Bashkisë Shkodër janë në terren duke pastruar vazhdimisht aksin Bogë-Theth, në Qafë Thorë.

Reshjet e shumta të shiut në Vlorë kanë sjellë problematika në disa akse rrugore.

Qarkullimi është bllokuar nga prania e ujit në lagjen ‘Rilindja’ apo siç njihet në Vlorë, rruga ‘Albano dhe Romina’.

Në Durrës reshjet e shumta të shiut dhe erërat e forta kanë sjellë ndalimin e lundrimit për anijet e tonazhit të ulët dhe peshkarexhave.

Mësohet se forca e detit është 4-5 ballë, ndërsa era fryn nga juglindja me shpejtësi 15 -20 km në orë.

Fatmirësisht tragetet kanë mbërritur në kohë në port, si dhe qarkullimi në rrugët e qytetit është i kalueshëm lehtësisht.

Reshjet e shiut që kanë vijuar disa ditë resht kanë sjell problematika edhe në aksin rrugor Berat-Poliçan dhe Poliçan-Skrapar.

Rrëshqitjet e gurëve dhe të dherave nga shpatet e malit përgjatë këtij aksi kanë sjell problematika në qarkullimin e automjeteve.

Në aksin Vodic -Poliçan si dhe Polçan -Bogovë rreziku është më i madh pasi gurët mund të shkaktojnë aksidentimin e mjeteve të cilat qarkullojnë në këtë zonë.

Nga rëniet e gurëve, njëri krah i rrugës është pakalueshëm ndërsa mjetet ikin në njërin sens të kundërt.

Policia e qarkut Berat dhe Poliçan si dhe e Skrapar janë të pranishme për të shmangur çdo aksident, si dhe mësohet se në terren kanë dalë brigada e shërbimit pranë Bashkisë Poliçan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore