Lajme

Ministrja e dënuar dy herë, sërish në Prokurori për vajin, sheqerin dhe grurin që s’erdhi kurrë në Kosovë


Rozeta Hajdari

E dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor dhe më pas e dënuar sërish nga gjykata për shkak të shkaktimit të një aksidenti rrugor ku e përplasi një të mitur, tash Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është intervistuar nga Prokuroria për skandalin me Rezervat Shtetërore, ku nga mediat u kuptua se përveç se malli i paguar nuk ka ardhur në Kosovë, gjithashtu janë përfshirë njerëz të paautorizuar në proces dhe ministria ka lidhur kontrata me kompani fiktive.

Pas intervistimit të sotëm, Hajdari ka thënë se ajo i është përgjigjur ftesës së Prokurorisë, por nuk është intervistuar si e dyshuar.

Sipas saj, Prokuroria e ka ftuar vetëm që të tregojë për ligjet dhe procedurat brenda ministrisë.

“Kjo kërkon qartësi në legjislacionin në fuqi që është Ligji për Rezervën Shtetërore, Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe ligjet tjera, prandaj derisa t’i marrim qartësitë përkatëse, ne do të bëjmë kërkesën dhe të vijmë t’ju japim përgjigjet që kanë nevojë t’i marrin”, u shpreh ajo”, deklaroi Hajdari.

Çfarë ka ndodhur?

Ishte data 23 shkurt, viti 2022, kur Qeveria e Kosovës kishte miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, për ndarjen e 10 milionë eurove për të blerë produkte të cilat do të ruheshin si Rezerva Shtetërore.

Qeveria e Kosovës, përkatësisht ministrja që e udhëheqë Hajdari kishte porositur mallra për Rezervën Shtetërore, por nga mediat u kuptua se mallrat e porositur dhe të paguar nuk kishin ardhur të plota asnjëherë në Kosovë.

Hajdari fillimisht e kishte mohuar lajmin.

E sfiduar për të prezantuar shifrat konkrete, ajo ishte arsyetuar se informatat rreth kësaj teme janë “sekret shtetëror”.

Më pas ishte kuptuar se kompania turke nga e cila kishte blerë grurë Kosova ishte kompania me emrin “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticare”.

U kuptua gjithashtu se kompania në fjalë, është kompani që merret me industrinë e ndërtimit dhe me tregti.

Kjo kompani është gati fantome edhe në listat e eksportuesve të Turqisë.

Në portalin e eksportit të mbështetur nga qeveria turke “turkishexporter.net” kompania nuk figuron askund.

Akoma problem më i madh se ky me grurin ishte mosardhja e vajit dhe sheqerit.

Së pari, mënyra se si ishte bërë porosia kishte shumë probleme.

Derisa ministrja për mos publikim të shifrave arsyetohet se bëhet fjalë për sekret shtetëror, blerjen e vajit dhe sheqerit ia kishte lënë në dorë një personi privat, mik i kryeministrit Albin Kurti, pronar i furrës të shndërruar në restorant “Bukë e Zemër”, Ridvan Muharremi.

Ai ishte angazhuar kundërligjshëm nga ministrja për të blerë vajin e sheqerin për rezerva.

As këto dy produkte nuk erdhën asnjëherë.

Situata këtu është akoma më e rëndë se ajo me grurin.

Derisa gruri u porositë nga kompania fantom turke, sheqeri e vaji ishin porositur te një mashtrues i njohur polak me emrin, Tomasz Tokarski.

Bëhet fjalë për 120 mijë kilogramë sheqer dhe 200 mijë litra vaj që u porositën te një kompani polake e quajtur “Xanto Sp. z o.o”.

Sipas një hulumtimi që pati kryer Albanian Post, e gjithë skema ishte një mashtrim dhe shteti i Kosovës ra në grackën e Tomasz Tokarski.

Tokarski, sipas avokatit Mahmut Halimi që përfaqëson Ridvan Muharremin, ishte edhe në Kosovë, por organet ligjzbatuese nuk kishin ndërmarr asnjë veprim.

Nga e gjithë kjo histori të arrestuar patën përfunduar tre persona, dy zyrtarë të MINT, drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara, Drejtori i Integrimeve Evropiane, Irfan Lipovica dhe afaristi i afërt me Kurtin, Ridvan Muharremi.

Organi i Akuzës i ngarkon Garën e Lipovicën se kanë anashkaluar ligjin e Prokurimit Publik kur kanë kërkuar që malli të blihet pa procedura, por me negocim.

Prokuroria në Dosje thotë se buxheti i Kosovës është dëmtuar 600 mijë euro si shkak i mos ardhjes së vajit, sheqerit dhe 52 tonëve grurë.

Përkundër kësaj, kryeministri Kurti ishte vënë në mbrojtje të ministres Hajdari, duke thënë se i beson plotësisht.

Për më tepër, ai kishte akuzuar mediat që kanë raportuar e prokurorët që po e hetonin rastin, duke thënë se po bëhet hetim me qëllim kundër qeverisë së tij nga njerëz që kanë qenë të lidhur me ish sistemin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore