Kosova

Detaje nga hetimi i Prokurorisë Speciale për vajin dhe grurin: Si erdhi deri te arrestimi i Garës, Lipovicës dhe Muharremit


Ilustrim: Momenti i arrestimit të Ridvan Muharemit dhe Hafiz Garës

Hafiz Gara, drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore dhe Irfan Lipovica, ish-zëvendësues i sekretarit kur ishin blerë Rezervat Shtetërore ndërsa tash drejtor i Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave përfunduan në prangat e Policisë së Kosovës pas një hetimi që kishte nisur prokurori i Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi.

Por, çfarë realisht nxiti arrestimin e tyre?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, më 26 shkurt të vitit të kaluar ndalu 10 milionë euro për Rezervat Shtetërore, duke kërkuar nga Ministria e Industrisë që shuma e ndarë për blerje të mos kalojë nga procedurat e prokurimit.

Blerja e mallrave për Rezervën Shtetërore është bërë me negocim pa procedura prokurimi kësisoj duke shkelur edhe Neni 19-të të Ligjit 03/L-244 i cili parasheh që blerja e mallrave për Rezerva duhet t’i nënshtrohet procedurave të prokurimit.

“Neni 19 i ligjit i titulluar ‘Procedurat e furnizimit më mallra’ thotë: Departamenti i Rezervave Shtetërore të mallrave përmes procedurave të prokurimit publik bëjnë furnizimin me mallra të cilat janë paraparë me programin një (1) vjeçar”.

Vetëm vendndodhja e Rezervave parashihet me ligj që është sekret, që e sqaron neni 9 i këtij ligji.

“Neni 9 i titulluar: ‘Vendndodhja e Rezervave Shtetërore’ thotë: Plani Strategjik dhe programi vjetor si dhe vendndodhja e rezervave shtetërore të mallrave konsiderohen sekret shtetëror”.

Amnistia që i është bërë blerjes së Rezervave e hapi rrugën që ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, të nis procedurat e blerjes së mallrave.

Hajdari e kishte krijuar një komision brenda MINT-it e cila do të negocionte blerjen e mallrave.

Albanian Post mëson se në Turqi ishin porositur 10 mijë tonë grurë për Rezervën Shtetërore dhe afër 300 mijë litra vaj në Poloni.

Komisioni kishte negociuar blerjen e mallrave të Rezervës. Marrëveshja ishte arritur dhe pagesat ishin kryer në formë të paradhënies, si për grurin, ashtu edhe për vajin.

Por, rrugës një sasi e grurit si dhe një sasi e vajit nuk kishin ardhur.

Burime brenda Prokurorisë Speciale i kanë thënë AP-së se bëhet fjalë për mungesën e 50 tonëve grurë dhe 280 mijë litra vaj.

Sipas të njëjtave burime, gruri gjatë transportimit nga porti i Durrësit, ku kishte ardhur me ngarkesa, e deri në Kosovë, kishin munguar 50 tonë grurë, e që zyrtari i MINT-it kishte refuzuar ta paguante transportin, sepse nuk po i përputheshin shifrat.

Refuzimi i zyrtarit për ta paguar transportin pa iu përputhur sasia e kishte nervozuar ministren Rozeta Hajdari, që kishte i kishte mbledhur të gjithë zyrtarët e financave dhe të Rezervave Shtetërore, duke i kërcënuar me masa ligjore që nuk po e kryejnë pagesën e transportit.

Në fund pagesën e transportit e kryen një zyrtare tjetër, përkundër që një sasi e grurit po mungonte.

Ndërsa vaji kishte mbetur ende në Poloni, ku edhe ishte porositur.

Kompania polake ka kohë që nuk është lajmëruar dhe vaji nuk është në stokun e Rezervës Shtetërore.

Irfan Lipovica, që atëherë mbante pozitën e zëvendësuesit të sekretarit në MINT, njeri i afërt me pushtetin e Lëvizjes Vetëvendosje, ka përgjegjësinë e Zyrtarit Kryesor Administrativ, sepse të gjitha pagesat që bëhen në një institucion, personi kryesor që duhet të jetë në dijeni është ZKA-ja.

Lipovica, sipas burimeve, nuk e kishte respektuar ligjin dhe as procedurat, duke kërkuar nga Departamenti i Financave që t’i kryejnë pagesat duke u thirrur në vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 26 shkurt 2022.

Lipovica sipas burimeve, të paktën dy herë kishte qenë në MINT bashkë me Ridvan Muharremin, duke kërkuar që pagesat të mos vonohen.

Muharremi, pa pasur asnjë pozitë shtetërore dhe pa asnjë verifikim nga AKI-ja kishte pasur qasje të pa limituar në Sekretet Shtetërore, që i kishte klasifikuar Kurti me vendim të Qeverisë.

Lipovica nën direktivat e Hajdarit, kishte kërkuar nga zyrtarët e financave në MINT që t’i kryenin pagesat, përkundër që malli nuk kishte ardhur.

Sipas burimeve brenda Prokurorisë Speciale, Hafiz Gara, pa prezantuar dëshmitë që ka ardhur vaji, kishte kërkuar nga Departamenti i Financave që të kryhen pagesat, duke u thirrur në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Madje burime nga Prokuroria Speciale tregojnë se komisioni që ishte formuar për blerjen e Rezervës Shtetërore nuk ishte mbledhur për ta dëshmuar se a ka ardhur malli dhe as menaxheri i kontratës nuk ishte pyetur fare dhe as hartimi i raportit për ardhjen e mallit nuk ishte përpiluar.

Sipas ligjit kontratat kanë nga një menaxher që harton raportet për përmbushjen e marrëveshjes.

Madje Gara ua kishte vështirësuar punën financave sepse nuk po prezantonte  asnjë dëshmi se ka ardhur malli që të kryhet pagesa.

Financat disa herë ia kishin refuzuar pagesën Garës për faktin që ky i fundit nuk kishte sjell dëshmi të mjaftueshme se malli ka ardhur.

Burime brenda Prokurorisë tregojnë se financat i kishin kërkuar Garës që ta dëshmonte se llogaria është e njëjta me kompaninë ku do të bëhej pagesa, në mënyrë që të mos bëhet pagesa gabim.

Asnjë informacion tjetër Gara nuk e kishte dhënë për zyrtarët e financave, me arsyetimin se është sekret, përkundër se po kryenin pagesa milionëshe, ndërsa të gjitha informatat i kishte Ridvan Muharremi.

AP mëson se pjesë e hetimit është edhe vetë Ministrja Hajdari, sepse është drejtuesja e ministrisë dhe blerja është nënshkruar nga ajo.

Deri tash janë intervistuar zyrtarët e financave në cilësinë e dëshmitarëve.

Rezervat Shtetërore më herët janë kryer me procedura të prokurimit, por vetëm vendodhja e tyre ka mbetur sekret, ashtu siç edhe e përcakton ligji.

Në vitin 2017 Ministria e Industrisë ishte furnizuar me grurë në vlerë prej 218 mijë euro nga kompania “Kos Comerce”.

Krejt kjo blerje ishte kryer përmes procedurave të prokurimit, ashtu siç dëshmojnë edhe dokumentet.

Ndërsa në vitin 2021 Ministria e Industrisë sërish kishte shpallur tenderin për blerjen e 1 mijë e 400 tonëve grurë në vlerë prej 350 mijë eurove.

Tenderi kishte dështuar disa herë, sepse askush nuk kishte shfaqur interesim për ta furnizuar rezervën dhe rrjedhimisht tenderi kishte dështuar.

Ndërsa në vitin 2022 Qeveria vendosi që 10 milionë euro t’i përdorte për blerjen e rezervave, duke eliminuar tërësisht procedurat e prokurimit dhe kjo i hapi rrugë dyshimeve për keqpërdorim ku në pranga përfunduan dy zyrtarë të MINT-it dhe pronari i furrës së bukës të shndërruar në Restorant “Bukë e Zemër”, Ridvan Muharremi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore