Kosova

Hajdari intervistohet nga Prokuroria Speciale për keqpërdorimin me rezervat shtetërore


Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, është duke u intervistuar nga Prokuroria Speciale për keqpërdorimin me rezervat shtetërore – ku dyshohet se buxheti i shtetit u dëmtua 600 mijë euro ndërsa për këtë ishin arrestuar edhe dy zyrtarë të MINT-it, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica që më pas ishin liruar.

Lajmin e ka mësuar Albanian Post nga burime të saj brenda prokurorisë të cilat kanë thënë se dyshohet se ministres mund t’i ngritet aktakuzë.

Ndërsa, i kontaktuar nga Albanian Post zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu, ka thënë se akoma s’kanë informacione nëse ministrja Hajdari është duke u intervistuar.

“Akoma s’kemi informacione, por në momentin që do të informohemi do të ju kontaktojmë”, ka thënë Lutfiu.

Albanian Post kishte raportuar në muajin prill të 2023-së për problemin me Rezervat Shtetërore dhe keqpërdorimet potenciale që ndodhnin prapa arsyetimit se s’mund të jepeshin informacione meqë ishte sekret shtetëror.

Në artikullin me titull “Rezervat Shtetërore të Kosovës – A po mbulohet keqpërdorimi milionësh me arsyetimin e “sekretit shtetëror”?, AP kishte nxjerrur në pah faktin se Kosova ka blerë mallra për rezerva shtetërore nga një kompani turke fantom.

Nga Prokuroria Speciale akuzohen dy zyrtarë të MINT drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara, Drejtori i Integrimeve Evropiane, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, afarist.

Organi i Akuzës i ngarkon Garën e Lipovicën se kanë anashkaluar ligjin e Prokurimit Publik kur kanë kërkuar që malli të blihet pa procedura, por me negocim.

Prokuroria në dosje thotë se buxheti i Kosovës është dëmtuar 600 mijë euro si shkak i mos ardhjes së vajit, sheqerit dhe 52 tonë grurë.

Çka u tha nga ministrja Hajdari dhe kryeministri për keqpërdorimin e rezervave?

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, përmes një konferencë në gusht të 2023-së, kishte akuzuar Policinë e Kosovës për mosprezantim të certifikatës për dokumentet sekrete.

Ajo kishte thënë se policia gjatë bastisjeve kishte marrë në cilësinë e provave dokumente, që janë të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Ajo tha se Policia e Kosovës “nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete”, duke shtuar se marrja e këtyre dokumenteve është bërë në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.

“Ju njoftoj se vetëm 3 për qind e totalit të furnizimit kemi pasur vonesa gjatë vitit 2022 për të cilat vonesa me datën 8 qershor 2023 është njoftuar edhe Avokatura Shtetërore nga zëvendës sekretari ynë për inicim të procedurës gjyqësore”, tha Hajdari kur u pyet nëse mallrat e blera për rezervat shtetërore kanë arritur në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Rozeta Hajdari.

Hajdari, shtoi se nuk ka asnjë dyshim te zyrtarët që ishin ndaluar, ndërkaq ishte përgjigjur edhe në pyetjen nëse do të japë dorëheqje.

“Unë nuk shoh asnjë arsye të jap dorëheqje, e them me përgjegjësi të plotë”, tha ajo.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte mbrojtur ministren e vet duke i hedhur poshtë dyshimet për keqpërdorimet me rezervat shtetërore.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në ministren e Industrisë Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, kishte thënë ai.

Çka janë rezervat shtetërore?

Kosova ka nisur të mbledh rezerva shtetërore nga viti 2012, ndonëse ligji ekziston që nga viti 2010.

Përmes rezervave shteti mbledh prodhime themelore bujqësore, grurin dhe nënproduktet e tij, kripë, sheqer, vaj, produkte sanitare, ilaçe esenciale, naftë dhe derivate të saj, mjete monetare, makineri dhe pajisje të tjera për intervenime emergjente.

Të njëjtat krijohen me buxhet të Kosovës, por edhe nga mallrat që vijnë si ndihmë humanitare si dhe nga mallrat e konsifikuara që kalojnë në pronësi të shtetit.

Ndërsa, mallrat menaxhohen nga Departamenti i Rezervave Shtetërore që është në kudër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Rezervat shtetërore mund të shfrytëzohen në luftë, fatkeqësi natyrore apo edhe kur duhet dërguar ndihmë emergjente shteteve të tjera që po përballen me ndonjë katastrofë të madhe.

Informacioni se sa ka rezerva konsiderohet si sekret shtetërore, prandaj këtë informacion përveç krerëve të shtetit nuk e posedon ndokush tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore