Lajme

Mesiç: Serbia e madhe s’mund të bëhet, është vetëm një shtet i vogël në Ballkan


Stipe Mesiç

Për ish-Presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiç, kreu i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është i njëjtë në politikbërje me ish-Presidentin fashist të Jugosllavisë, i njohur si “Kasapi i Ballkanit”, Slobodan Millosheviç, derisa ka shtuar se Serbia e madhe nuk do të bëhet, ashtu siç pretendojnë disa politikanë në Beograd.

Këto komente, Mesiç i ka bërë në takimin PanShqiptar, NdërBallkanik, EuroAtlantik me tematikë: Histori- Identitet- Integrim, ku kishte mbi 600 të ftuar nderi.

“Ende ka nga ata që si Millosheviç-i kërkojnë të bëhet Serbia e madhe, por unë ju them se ajo nuk mundet të bëhet. Për të gjithë ata që mendojnë që Serbia mundet të bëhet një shtet i madh, unë ju them që Serbia është një shtet i vogël në Ballkan”, deklaroi ish-presidenti kroat.

Sa i përket ngjarjeve në ish-Jugosllavi në vitet e ’90-ta dhe të gjitha viktimat në në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, Mesiç ka bërë përgjegjës direkt Millosheviç-in.

Mesiç, gjatë kohës së tij si President i Kroacisë, por edhe më pas, ka qenë një përkrahës i madh i pavarësisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore