Lajme

Kosova kalon me sukses fazën e dytë për anëtarësimin në KiE, në maj vendimi përfundimtar


Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Të martën, Kosova kaloi me sukses edhe fazën e dytë në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, derisa tani i ka mbetur vetëm edhe një hap.

Kjo u vendos në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, të cilët me shumicë dërrmuese vendosën pro miratimit të raportit të raportueses për Kosovën në këtë organizatë, Dora Bakoyannis.

Për miratimin e raportit të raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, kanë qenë 131 vota PRO, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Por, para miratimit, Asambleja Parlamentare e KiE-së, i hodhi poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga Serbia.

Për t’u bërë anëtare e plotë e KiE-së, Kosovës tanimë i ka mbetur vetëm edhe një hap: votimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm në muajin maj.

Miratimit të raportit i parapriu Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i KiE-së, i cili rrëzoi amendamentin e deputetëve serbë përmes të cilit kërkuan që të shtyhet vendimi për pranimin e Kosovës në KiE, derisa të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Po ashtu, u rrëzua edhe amendamenti i propozuar nga deputetët italianë. Ata propozuan që Kuvendi të konsiderojë se themelimi i Asociacionit duhet të merret parasysh si çështje në shqyrtimin e ardhshëm të Komitetit të Ministrave për aplikimin e Kosovës.

Faza e parë e Kosovës drejt rrugës për në KiE kishte kaluar me sukses më 27 mars. Aty, Komiteti për Politikë dhe Demokraci në KiE, miratoi raportin e Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë. Pro votuan 31 përfaqësues të shteteve anëtare, katër kundër dhe një abstenoi.

Reagimet në Kosovë

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Albin Kurti. Ai përmes një postimi në Facebook tha se pas këtij votimi jemi edhe një hap larg anëtarësimit.

“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Kurti.

“Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë”, shtoi ai.

Kryeministri Kurti ka theksuar se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.

“E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut”, potencoi ai.

“Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve”, përfundoi Kurti.

Ndërsa presidentja Vjosa Osmani tha se Kosova shënoi një moment historik në rrugëtimin e saj evropian.

“Votimi i sotëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është një dëshmi e  përkushtimit tonë për drejtësi, barazi dhe për parimet themelore të demokracisë”, shkroi Osmani.

E para e vendit ka falënderuar nga zemra të gjithë ata që nëpërmjet votë për mbështetën të gjithë qytetarët e Kosovës dhe “kauzën tonë për të drejta të njeriut”.

“Urime Kosovës dhe të gjithëve që kanë kontribuar në këtë arritje historike!”, theksoi ajo, duke shtuar “edhe një hap drejt anëtarësimit të plotë!”.

Përvec nga pushteti, ky votim u përshëndet edhe nga opozita.

Dy liderët e opozitës, përkatësisht kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njëzëri kanë përshëndetur miratimin e raportit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nga Asambleja Parlamentare e KiE-së.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi u shprehu mirënjohje të gjithë atyre që kanë punuar me vite të tëra për këtë sukses të rëndësishëm për vendin tonë, derisa falënderime pati edhe për të gjithë ata që me votën e tyre sot e shtynë përpara këtë proces për Kosovën.

“Veçanërisht, e falënderoj mikun tim, Iulian Bulai, deputetin rumun, i cili si Kryetar në APKE i grupit të ALDE-s, anëtare e së cilit është edhe PDK, bashkë me deputetët e grupit tonë, ka kontribuar në çdo hap të këtij procesi”, shkroi Krasniqi.

Tani, me optimizëm, angazhim dhe lobim, theksoi kreu i PDK-së, “presim votimin final të Komitetit të Ministrave të Jashtëm, që do të mbahet pas një muaji”.

Ndërsa, sipas Haradinajt, përkrahja në Asamblenë e KiE-së, “është një hap kolosal në afirmimin ndërkombëtar të pozicionit të Kosovës, si dhe një energji dhe momentum i ri për caqet e së ardhmes”.

“Shteti ynë i ri, qytetarët e Kosovës, kanë vendosur themelet e forta të demokracisë, të drejtave dhe lirive të njeriut. Ky përkushtim i rrënjosur në frymën e Kushtetutës e shpirtin e qytetarëve, u vlerësua nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës”, shkroi ndër të tjera Haradinaj në Facebook.

Votimin e përshëndetën edhe nga partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Ky është moment historik i konsolidimit dhe integrimit të shtetit të Kosovës përkrah shteteve demokratike perëndimore”, thanë nga kjo parti.

Edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përgëzuar Kosovën për këtë hap historik drejt anëtarësimit në KiE.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka theksuar se ky është një hap historik, i sapo hedhur nga parlamentarët e KiE-së.

“Urime, urime, urime nga zemra Kosovës dhe faleminderit të gjithë miqve e partnerëve në Asamblenë Parlamentare, që na mbështetën në hedhjen e këtij hapi të drejtë, i cili i dha Kosovës çka i takonte dhe i bëri nder vetë Këshillit të Evropës”, shkroi ai.

Kryeministri shqiptar pret tashmë hapin e fundit historik në maj, në Komitetin e Ministrave, ku të gjithë duhet të bëjnë të vetmen gjë të duhur:

“VULOSJEN E KËTIJ ANËTARËSIMI pa të cilin mozaikut evropian të Këshillit të Evropës i mungon një gur i pamohueshëm dhe i pazëvendësueshëm”.

“Forca KOSOVË”, përmbyll Rama.

Po ashtu, edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e ka përshëndetur vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës sa i takon rekomandimit për anëtarësimin e Kosovës në organin e lartë evropian.

Përmes një publikimi në X, kreu i shtetit ka falënderuar të gjithë ata që kanë punuar dhe që e kanë mbështetur kërkesën e drejtë të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

“Pritet vetëm hapi final në maj, i cili shënon edhe momentin e merituar për të festuar”, përmbyll presidenti Begaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore