Lajme

Hoti: Në opozitë mblodhën 205 mijë nënshkrime kundër Asociacionit, tash nënshkruajnë zotim për themelimin e tij


Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Reagimi i tij ka ardhur pasi krerët institucional të Kosovës janë zotuar se do t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit përfshirë themelimin e Asociacionit.

“205 mijë nënshkrime i kanë mbledhur kundër Asociacionit sa ishin në opozitë, të cilat janë të arkivuara në Kuvendin e Kosovës. Tash, kur janë në pushtet, bëhen rresht dhe e nënshkruajnë letrën e zotimit për themelimin e Asociacionit”, ka shkruar Hoti në platformën sociale, Facebook.

Sipas ish-kryeministrit ky është mashtrim ndaj qytetarëve.

“Mashtrimi i qytetarëve ka emër e mbiemër”.

Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, më 20 mars të këtij viti ka përfunduar përpilimin e një raporti për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku theksohet se Asambleja Parlamentare e KiE-së rekomandon Komitetit të Ministrave të KiE-së të pranojë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Në raportin 26 faqesh të Bakoyannis nënvizohet fakti se Asambleja Parlamentare e KiE-së pret që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa thelbësorë dhe të prekshëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe sa më shpejt që të jetë e mundur.

Themelimi i Asociacionit, sipas raportit të Bakoyannis, duhet të jetë i dukshëm në rast se Kosova kërkon anëtarësimin e plotë në KiE.

“Asambleja Parlamentare pret që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa thelbësorë dhe të prekshëm me synimin për themelimin e Asociacionit sa më shpejt të jetë e mundur. Asambleja Parlamentare konsideron se themelimi i Asociacionit duhet të jetë i dukshëm në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, thuhet në pikën e 11-të të raportit të zyrtares greke.

Në lidhje me këtë krerët institucional të Kosovës kanë dërguar një letër diplomates greke ku janë zotuar se do t`i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

“Në letrën tuaj të datës 21 mars 2024, ju na i ofruat ‘zotimet e propozuara të cilat Kosovës do t’i kërkohen që t’i respektojë porsa të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës’. Korrespondenca juaj tregon se kjo listë, që kërkon një përgjigje nga institucionet shtetërore të Kosovës, përbën një përbërës integral të procesit tonë të aplikimit dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës” thuhet në letrën që është nënshkruar nga tre krerët institucionalë, të cilën e ka siguruar Nacionale.com.

Në shtojcën e cila i është bashkangjitur letrës së krerëve institucional dërguar Bakoyannis, ndër të tjera Osmani, Konjufca e Kurti zotohen se do të bëjnë “hapa substancialë e të prekshëm me synim të zbatimit të të gjitha neneve të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit që e përfshin themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sa më shpejt që është e mundshme”.

Osmani, Kurti e Konjufca me strategji të dyfishtë – para ndërkombëtarëve zotohen për Asociacionin, para elektoratit e mohojnë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore