Gjykata Speciale

ZPS-ja refuzon të konfirmojë nëse Bedri Shabani është dëshmitar në Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së


Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka refuzuar që të deklarohet për deklaratat që janë dhënë se Bedri Shabani i cili dyshohet të jetë spiunazh me BIA-n serbe është dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë të Holandës në rastin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), siç ka bërë të ditur avokati Besnik Berisha, të enjten.

Përmes një përgjigje për Albanian Post zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett, ka thënë se s’komenton hetimet për çështjen e saj.

“Faleminderit për komunikimin tuaj. Megjithatë, ZPS nuk komenton hetimet e saj”, ka thënë Bennett për AP.

Avokati Berisha, të enjten pas përfundimit të seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë deklaroi se ndaj klientit të tij s’ekziston asnjë provë për spiunazh.

“Jam i lumtur që ajo që dëgjuam sot nuk arriti të argumentojë asnjë fjali që dy qytetarë të Kosovës kanë spiunuar në Serbi. Nuk pati mundësi prokurori për ta zbuluar një transkript të vetëm, një fotografi të vetme, një vëzhgim të vetëm… Prandaj, ky spektakël është gabim”, deklaroi Berisha.

Ndryshe, dy shtetasit kosovarë u arrestuan pas një hetimi disamujor dhe ngarkohen me veprën penale “spiunazh”.

Në bazë të raportimeve të mediave vendore, personat e arrestuar dyshohet se kanë spiunuar për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Prokuroria Speciale e Kosovës (PSK) kërkoi masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për spiunazh në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore