Shqipëria

Zhvillohet stërvitja detare “Grupex-22”, Peleshi: Do të shtojmë kapacitetet, gati të presin edhe “Defender 2023”


Për dy ditë më radhë efektivë të Forcës Detare në Forcat e Armatosura zhvilluan në bregdetin e Shqipërisë stërvitjen “GRUPEX-22”.

Këtë e ka bërë me dije ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili ka qenë i pranishëm në nisje të kësaj stërvitjeje.

Ai e ka cilësuar një stërvitje të rëndësishme, veçanërisht në këtë moment të rritjes së standardeve të Forcave të Armatosura.

Gjatë fjalës së tij, Peleshi foli për një plan ambicioz që Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria ka për Sigurinë Kibernetike.

“Për Forcën Detare kemi gjithashtu ambicie dhe plane ashtu siç i kemi ndarë me komandantin për të shtuar flotën tonë në një të ardhme afatmesme, për të rritur kapacitetet tona të mirëmbajtjes”, u shpreh Ministri.

Sa i përket kësaj ai theksoi se, “jemi në proces të identifikimit në mënyrat më të mira se si mund të kemi një përgjigje më të mirë të të gjitha nevojave për mirëmbajtje, por edhe siç e thashë të ndërtimit, blerjes së anijeve të tjera siç i kemi në objektivat e kapaciteteve”.

Sipas tij parashikohen investime të mëdha në fushën e infrastrukturës dhe këto po diskutohen dhe planifikohen edhe me programin qeveritar si pjesë e projekteve të mëdha për Shqipërinë.

Ministri i Mbrojtjes vuri në dukje përvojën që Forcat e Armatosura të Shqipërisë morën pikërisht një vit më parë nga stërvitja më e madhe “Defender 2021”.

“Vlen të kujtoj që para një viti, në të gjithë territorin e Shqipërisë është zhvilluar stërvitja ‘Defender-21’, pra një komponent i rëndësishëm i saj ka qenë edhe në det dhe besoj që kemi marrë mësime, kemi rritur ndërveprueshmërinë në një përmasë që kurrë më parë nuk e kemi patur shansin”, vijoi Peleshi në fjalën e tij.

Më tej ai u shpreh se, “tani jemi edhe më gati për t’u bërë një vend pritës, jo vetëm në tokë, por edhe në ajër, edhe në det për vitin tjetër ‘Defender-23’ edhe në vazhdim”.

Ndërsa Komandanti i Forcës Detare, Kundëradmiral Adnand Agastra shpjegoi qëllimet e kësaj stërvitjeje, që kanë të bëjnë edhe me shërbimin konkret ndaj komunitetit.

“Pas kësaj stërvitjeje, anijet do të shpërndahen në të gjithë bregdetin shqiptar; nga Shëngjini deri në Sarandë, në të gjitha portet e hapura, por edhe bazat e Forcës Detare me qëllim që t’i përgjigjemi situatave të sezonit për shkak të rritjes së fluksit, të turistëve, të përdorimit edhe të paligjshëm të detit. Anijet do të jenë me kohë në rajon për t’ju përgjigjur të gjitha situatave”, tha Agastra.

Synimi i kësaj stërvitjeje ka të bëjë me vlerësimin dhe certifikimin e grupeve të anijeve patrulluese si njësi zbatuese, testimin e aftësive organizative dhe komanduese të komandantëve të grupeve, planëzimin e Shtabit të Flotiljes Detare si dhe kryerjen e qitjeve me armatimin e anijeve.

Në stërvitjen “Grupex-22” dhe qitjet bregdetare morën pjesë 11 anije të Flotiljes Detare, tre anije të klasit “ARCH ANGEL” si edhe Grupi i Bordingut.

Stërvitja dhe qitjet bregdetare u zhvilluan në përputhje me dokumentet stërvitore si dhe ato të NATO-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore