Shqipëria

Zhdukja e italianit, hetimi i shtrirë në dy pista


Drejtori i Policisë Kriminale në Shqipëri, Tonin Vocaj, deklaroi mbrëmjen e 19 janarit në emisionin “Open”, të kanalit televiziv Top Channel, se hetimi për makinën e djegur në autostradën Gjegjan-Reps në Pukë dhe zhdukjen e drejtuesit të tij është shtrirë në dy pista. Ai ka deklaruar se autoritetet shqiptare janë në bashkëpunim me autoritetet italiane në Perugia për zbardhjen e çështjes.

“Kemi dy mundësi. Ngjarja mund të jetë aksidentale ose kriminale. Jemi duke hetuar në këtë drejtim në bashkëpunim me autoritetet italiane”, tha Vocaj.

Vocaj hodhi poshtë akuzat e gazetarëve në studio për prishjen e vendngjarjes dhe provave nga ana e policisë. Gazetarët e akuzuan policinë për moskallëzimin e eshtrave të gjetura në makinë, një ditë pas aksidentit.

“Kjo ngjarje ka marrë vëmendjen e duhur. Policia ka bërë me dije se automjeti është gjetur i djegur. Të nesërmen është parë që në makinë ka pasur eshtra. Në këtë moment kemi kërkuar grupin e ekspertëve nga Tirana. Grupi i ekspertëve e ka gjetur makinën në komisariatin e Pukës. Nuk ka pasur më njoftime për shtyp, sepse ka qenë kushtëzim nga hetimi”, deklaroi Vocaj.

Ngjarja është regjistruar fillimisht si shkatërrim prone, por pasi janë gjetur mbetjet kockore, kjo ngjarje i ka kaluar Prokurorisë.

Kujtojmë se ngjarja ka ndodhur më datën 8 janar, në autostradën Gjegjan-Reps. Makina tip “Skoda Fabia” u gjet e djegur. Ajo ishte marrë me qira në Rinas nga ish-arbitri italian, Davide Pecorelli. Ky i fundit rezulton i zhdukur prej disa ditësh. Ka dyshime të forta që mund të jetë djegur në makinë, por nuk ka një konfirmim nga ana e policisë.

Gazetarja, Anila Hoxha, bëri me dije se Davide është një sipërmarrës, sepse ka një regjistrim në QKR në gusht të vitit të kaluar.

“Automjeti ka GPS dhe itenerari është i qartësuar”, sqaroi Hoxha.

Në emision u përmend edhe aksidenti i përplasjes së dy makinave, përballë TVSH-së. Gazetarja Hoxha bëri me dije se nga ky aksident ka pasur dy të lënduar, ndërsa policia nuk ka raportuar të tillë. U bë e ditur se drejtuesi i BMW-së është nipi i një zyrtari të lartë. Ai ka marrë vetëm një gjobë për këtë ngjarje.

Kujtojmë se aksidenti u shkaktua nga një tip mjet “BMW” për shkak të shpejtësisë së madhe.

Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, deklaroi në emision se për tre vitet e fundit ka një ulje të aksidenteve.

Vetëm 19 ditët e para të janarit kemi mbi 80-të aksidente, me 13-të humbje jetësh./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore