Shqipëria

Zgjedhjet parlamentare, PS dhe PD nesër nisin ‘sprintin’ nga Tirana


E enjtja e 25 marsit është dita kur partitë politike do të hapin zyrtarisht fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen një muaj më pas.

Mësohet se Partia Socialiste do ta nisë fushatën nga sheshi “Skënderbej”, ndërsa Partia Demokratike nga sheshi “Nënë Tereza”.

Fushatat do të startojnë nga sheshet kryesore të kryeqytetit, për të vijuar më tej në të gjithë vendin, përgjatë gjithë muajit deri më 25 prill.

Nga ana tjetër, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve u ka bërë thirrje partive politike, që të ruajnë qetësinë dhe të respektojnë standardet e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor.

Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme më 23 mars, KQZ-ja përcaktoi edhe fondin paraprak për çdo parti politike.

Sipas KQZ-së, Partia Socialiste do të përfitojë 55.8 milionë lekë, e ndjekur nga Partia Demokratike me 33.3 milionë lekë.

Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim do t’i jepen 18.9 milionë lekë, kurse Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitetet 5.5 milionë lekë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore