Lajme

Zgjedhjet në Gjermani: Pesë përfundime për pesë parti


Nga e majta, udhëheqësi i qendrës së majtë, Olaf Scholz, kandidatja e Të Gjelbërve për kancelare, Annalena Baerbock, në mes kandidati i bllokut të qendrës së djathtë, Armin Laschet, udhëheqësi i liberalëve, Christian Lindner dhe bashkë-udhëheqësi i AfD-së, Björn Höcke

Partia Socialdemokrate (SPD) e Gjermanisë fitoi pjesën më të madhe të votave në zgjedhjet federale të së dielës.

Kjo i vendos ata në pozitën kryesore për të formuar qeverinë e ardhshme të Gjermanisë, por negociatat mund të jenë të ndërlikuara.

Angela Merkel, pre 16 vitesh në detyrë si kancelare, do të qëndrojë në postin kryesor të Gjermanisë – derisa të arrihet një marrëveshje.

Por bisedimet mund të zgjasin me ditë, javë, apo edhe më shumë. Në zgjedhjet e vitit 2017 u deshën muaj për të formuar një qeveri – pas fitores së Merkel-it.

Kancelarja në detyrë, Angela Merkel
Dështimi “historik” i CDU-së

Bashkimi Demokratik Kristian i Merkel-it (CDU) regjistroi performancën më të keqe ndonjëherë, me një humbje rekord.

Së bashku me partinë e saj simotër bavareze, Unioni Kristian Social (CSU) mori 24.1% të votave.

Kjo, krahasuar me SPD-në që mori 25.7%, duke humbur 49 ulëse në total – CSU humbi një vend tjetër (SPD fitoi 51 vende).

Udhëheqësi i CDU-së, Armin Laschet, vlerësimet e të cilit ranë në fund të fushatës pas një serie gafash, u tha mbështetësve se partia “nuk mund të jetë e kënaqur me këtë rezultat”.

Laschet këmbënguli se partia e tij “do të bëjë gjithçka për të provuar të ndërtojë një koalicion”.

Armin Laschet, kandidat i partive të Unionit Kristian Demokrat për Kancelar
Një mbrëmje “historike” për “Të Gjelbrit”

Klima ishte një nga çështjet kryesore në fushatën e “Të Gjelbërve”.

Kjo, veçanërisht pas përmbytjeve vdekjeprurëse që shkatërruan zonat e Gjermanisë perëndimore gjatë verës.

Partia mori 14.8% të votave, duke fituar 51 ulëse.

Bashkëkryetarja e saj, Annalena Baerbock, një ish-trampoliniste profesioniste, ia atribuoi suksesin e partisë së saj – tërheqjes së votuesve të rinj.

Baerbock shtoi se “Të Gjelbrit” kishin “kërkuar më shumë” dhe kishin synuar të bëheshin parti në pushtet.

Në fillim të fushatës, “Të Gjelbrit” patën një epërsi të shkurtër mbi të dy partitë kryesore tradicionale, CDU dhe SPD.

Të hënën e 27 shtatorit, Baerbock tha se partia ishte “e hapur për bisedime me partitë e tjera gjermane”.

Kandidatja e Të Gjelbërve për kancelare, Annalena Baerbock
FDP-ja dhe të Gjelbrit – mbretërit e zgjedhjeve gjermane

“Të Gjelbrit” pritet të luajnë një rol krijues në çdo koalicion – së bashku me liberalët, Demokratët e Lirë (FDP), të cilët siguruan 11.5% të votave dhe fituan 12 ulëse në krye të performancës së tyre në vitin 2017.

FDP-ja nuk ka udhëhequr kurrë një qeveri gjermane, por ka qenë partneri më i vogël në koalicionet me CDU-në dhe SPD-në në të kaluarën.

Udhëheqësi i saj, Christian Lindner, tha të hënën e 27 shtatorit se bisedimet tashmë kanë filluar me “Të Gjelbrit”.

Sipas Lindner, ka dallime të mëdha në përmbajtje midis “Të Gjelbërve” dhe FDP-së dhe duhet të krijohet një bazë e përbashkët.

Lindner tha gjithashtu se partia e tij ishte e gatshme të fliste me SPD-në dhe CDU-së.

Udhëheqësi i liberalëve, Christian Lindner
Selia e Merkel – përmbyset

Në një natë të hidhur për CDU-në, ndoshta më e rëndësishmja ishte humbja e bastionit të Angela Merkel.

Zona elektorale e kancelares në largim, “Stralsund” – në verilindje të Mecklenburg-Vorpommern – kaloi tek kandidatja e SPD-së, Anna Katharina Kassautzki, një 27-vjeçare që punon në Universitetin e Greifswald-it.

Në një deklaratë për mediat, Kassautzki tha se Merkel la pas pritshmëri të mëdha për t’u përmbushur.

Sipas kandidates së SPD-së, kancelarja Merkel ka bërë shumë për zonën zgjedhore dhe ka qenë një model për vajzat e reja.

Anna Katharina Kassautzki
Fitoret e së djathtës ekstreme në ish-Gjermaninë Lindore

Alternativa gjermane e ekstremit të djathtë, anti-emigrant për Gjermaninë, AfD, humbi 11 ulëse në përgjithësi, por doli në krye në shtetet lindore të Thuringia-s dhe Saksonisë.

AfD-ja, e cila është zotuar të bllokojë kombin kundër kufijve të hapur të Evropës, fitoi vendet e para në Bundestag në vitin 2017.

Kjo, pas vendimit të Angela Merkel për të mirëpritur më shumë se një milion emigrantë në vend.

Bashkë-udhëheqësi i AfD-së, Björn Höcke

Mesazhi nacionalist i partisë ka tërhequr elektorat nga pjesë të ish-Gjermanisë Lindore, por partia nuk e ka aprovimin e partive kryesore politike të Gjermanisë për koalicion.

Në fillim të këtij viti, AfD-ja u vu nën mbikëqyrje nga shërbimi gjerman i Inteligjencës, me dyshimin se po përpiqej të minonte kushtetutën demokratike të Gjermanisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore