Shqipëria

Zëvendëspresidentja bullgare nga Kukësi: Ka një zhvillim të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit


“Shqipëria ka bërë hapa pozitivë drejt anëtarësimit në BE”.

Kështu ka deklaruar nga Kukësi zëvendëspresidentja e Bullgarisë Iliana Lotova, e cila e vuri theksin në angazhimin e vendit në luftën kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi.

Ajo tha se vendi i saj do të jetë përkrah Shqipërisë në rrugën e integrimit.

“Ne ndjekim vazhdimisht rezolutat që vijnë nga Shqipëria dhe vendimet që merr parlamenti. Shohim se nga BE ka vlerësime pozitive. Ka një zhvillim të jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit, në sistemin e drejtësisë si dy nga hapat më të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE. Nënvizoj se Bullgaria nuk është ndalur asnjëherë duke mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt BE”, theksoi Lotova.

Numri dy i shtetit bullgar, këtë deklaratë e bëri pas takimit informal me kryetarin e bashkisë Kukës Albert Halilaj ku është biseduar edhe për çeljen e projekteve të BE për infrastrukturën në muajin maj.

Lotova tha se Bullgaria do ta mbështesë Shqipërinë për thithjen e fondeve nga këto projekte pjesë e të cilave do të jetë edhe Kukësi. Pas këtij takimi ajo udhëtoi drejt Malit të Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore