Lajme

Zeqiri skeptik se peticioni për shkarkimin e kryetarëve në Veri do ketë sukses


Foto: Albanian Post

Kryetari i Zubin Potokut – komunë e banuar me shumicë serbe – Izmir Zeqiri, ka thënë se është skeptik rreth suksesit që mund ta ketë peticioni që tanimë ka filluar për shkarkimin e tij dhe të tre kryetarëve të tjerë të komunave Veriore – Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut.

Zeqiri, i cili shprehet pesimist sa i përket suksesit të peticionit, vlerëson se kjo iniciativë më shumë është një pështjellim i situatës sesa një diçka që mund të krijojë zgjidhje të qëndrueshme.

“Qysh nga vendimi i qeverisë për udhëzimin administrativ kam qenë skeptik, duke e parë gjendjen në teren nuk besoj dhe akoma jam skeptik se do të ketë sukses. Kjo për shkak të vullnetit të qytetarëve, të themi të shumicës serbe, për të zhvilluar ndonjë parë zgjedhje demokratike dhe të rregullta, kam qenë dhe akoma jam skeptik i kësaj iniciative”, ka thënë Zeqiri në një intervistë për “KlanKosova”.

“Këtë e shoh si një prapaskenë natyrisht të Listës Serbe dhe të grupacioneve që kanë bërë presion mbi qytetarët serbë e që bëjnë akoma. Shoh vetëm pështjellim të situatës dhe jo ndonjë sukses”, shtoi.

Këtë të mërkure ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të Komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, përkatësisht Erden Atiqit dhe Lulzim Hetemit, të cilëve u janë përgjigjur një numër i madh i qytetarëve serbë lokalë

Ndërsa, Kryetari i Zubin Potokut, që vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që nga fillimi nuk e ka përkrahur idenë e shkarkimit të tij dhe të kolegëve tjerë kryetarë në komunat me shumicë serbe, pasi që ka konsideruar se një marrëveshje për dorëheqje do të ishte më e duhur.

“Në pyetjen a shkarkimi a dorëheqje, gjithmonë kam qenë pro marrëveshjes politike me vullnetin e qeverisë dhe natyrisht marrëveshjeve ndërpartiake dhe të kryetarëve, prandaj dorëheqjet vullnetare më duket situatë më e dinjitetshme sesa po të ndodhë edhe shkarkimi, ndonëse nuk besoj që do të vjen”, deklaroi Zeqiri.

Ndryshe, Qytetarët në Mitrovicën e Veriut, të mërkurën në mëngjes u grumbulluan afër sallës së sportit në këtë komunë, për të nënshkruar peticionin e shkarkimit të kryetarit, Erden Atiq.

Numri i qytetarëve të cilët ishin grumbulluar në sallën e sporteve afër stacionit të autobusëve në këtë komunë për të nënshkruar peticionin ishte relativisht i lartë.

Para sallës së sportit ishte e pranishme edhe Policia e Kosovës, e cila monitoron të gjithë procesin.

Në grumbullin e qytetarëve janë parë edhe ish-krerët e Listës Serbe dhe ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut nga kjo parti.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror Zgjedhor për të qenë i suksesshëm procesi i shkarkimit në Mitrovicë të Veriut nevojiten 3 mijë e 640 nënshkrime.

Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e Lulzim Hetemit, gjithashtu ka nisur në orën 9:00 të mërkurën e 16 janarit.

Mbledhja e nënshkrimeve po organizohet para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit.

Nga pamjet në terren në mëngjes, numri i interesuarve për nënshkrimin e peticionit është relativisht më i vogël në krahasim me numrin në Mitrovicë të Veriut.

Në Leposaviq, sipas KQZ-së duhet të mblidhen 2 mijë e 689 nënshkrime në atë mënyrë që të iniciohet tutje procesi i shkarkimit të Lulzim Hetemit.

Grumbullohen më shumë se gjysma e nënshkrimeve të nevojitura për shkarkimin e Atiq

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore