Kosova

Zemaj akuzon Qeverinë për përfitime personale, pas anulimit të listës së çmimeve të produkteve medicinale


Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Ish ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, e cila ka anuluar listën e çmimeve të produkteve medicinale.

Zemaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se kjo tregon për dobësinë e këtij pushteti.

“Para tre jave është miratuar lista e çmimeve të produkteve medicinale. Sot, u anulua! Çfarë dobësie! Çfarë loje e ndytë!”.

“Interesin e pacientit të varfër, kjo Qeveri e ka shkelur me dy këmbë, në vazhdimësi po abuzon me të. E kjo veç për shkak të akomodimit të interesave personale financiare dhe interesave të mafisë farmaceutike”, ka shkruar Zemaj.

Sipas tij, tashmë janë bërë të ditura përfitimet personale, prandaj edhe ky proces është anuluar.

“Kaq dinë kaq mund të bëjnë ky pushtet!”.

Zemaj, tutje ka shfaqur disa shembuj që shpërfaqin tendencën për abuzim me çmime.

Ligji për çmimin e produkteve medicinale është miratuar në vitin 2023, por që kishte hyrë në fuqi në maj të 2024-të, kur edhe është publikuar çmimorja e barnave.

I njohur ndryshe si Ligji për çmimin e barnave, ky akt normativ ka për qëllim kursimin e xhepit të qytetarëve dhe mbrojtjen e tyre nga abuzimet me çmimet e larta për barna.

Në mungesë të zbatimit të Ligjit, barnat e njëjta vazhdojnë të shiten me çmime të ndryshme.

Ndryshe, që nga paslufta në Kosovë, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind. Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore