Lajme

Kosova në pritje të furnizimit me barna esenciale


Ilustrim

Qendrat kryesore të mjekësisë familjare në Kosovë janë duke u përballur tash e disa javë me mungesën e barnave esenciale edhe pse ministri i Shëndetësisë Arben Vitia kishte premtuar furnizimin me barna brenda kësaj jave.

Po ashtu, ditëve të fundit pacientet që po trajtohen për COVID-19 në Klinikën Infektive, janë ballafaquar me mungesë të ilaçit Remdesivir që përdoret për trajtimin e kësaj sëmundjeje, dhe i cili është edhe ndër më të shtrenjtët. Pacientët po detyrohen ta blejnë vetë atë që në treg e ka çmimin rreth 40 euro.

Në barnatoren e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të Prishtinës, po ashtu ka pasur mungesë të shumë barnave esenciale të rëndësishme.

Në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, Shefi i Barnatores Qendrore Fatos Aliu, deklaroi se pos mungesës së barnave për sëmundje kronike, ka pasur edhe mungesë të barnave për trajtimin e Coronavirusit.

“Në barnatoren qendrore kemi mungesë të barnave për diabet, hipertension, por ka edhe mungesë të terapive për pacientët me Coronavirus”, deklaroi Aliu.

Ai theksoi se kërkesa për furnizim me disa produkte të barnave është aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe pritet që furnizimi të bëhet këto ditë.

“Kërkesa për furnizim me disa produkte të formës tabletare, ampullare dhe me infuzione është aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe sipas njoftimeve që i kemi furnizimi do të realizohet të hënën më 13 shtator”.

Mungesë ta barnave esenciale ka edhe në QKMF-të në Vushtrri, këtë për Albanian Post e ka bërë të ditur farmacisti përgjegjës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri, Egzon Maloku.

“Ka mungesë të tretjes fiziologjike që është pjesë e infuzioneve, mungojnë kanillat. Edhe një pjesë e madhe e terapisë së ampulave”, pohoi Maloku.

Mirëpo, po presin që edhe në këtë komunë të furnizohen këto ditë.

“Mungesat deri tash ishin të shumta, mirëpo sipas informacioneve që kemi, ministria është furnizuar me një numër të konsiderueshëm të barnave dhe presim që të furnizohemi në kohë sa më të shpejt”.

Ndërkaq, drejtori i QKMF-së në Lipjan, Agim Krasniqi tha se “terapitë që nuk janë listën esenciale, pacientët i blejnë vetë”.

Krasniqi thotë se “shumicën e barnave esenciale i kemi. Ka sidomos mjaftueshëm furnizime me infuzione dhe nuk na kanë munguar asnjëherë”, u shpreh Krasniqi.

Kurse, drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës, Afërdita Spahiu-Shllaku, ka thënë se për momentin janë të furnizuar me barna për pacientët me sëmundje kronike si dhe material shpenzues.

“Për momentin në Komunën e Gjakovës jemi furnizuar me barna për pacientët kronikë që zakonisht vijnë çdo muaj  si dhe me material shpenzues sanitar (maska, maska plastike mbrojtëse për fytyrë, dezinfektues, mantela kirurgjik, rroba komplet një përdorimëshe, doreza jo sterile, doreza kirurgjike)”, tha ajo.

Albanian Post ka kontaktuar edhe ministrin e Shëndetësisë lidhur me problemet që ka në Kosovë me furnizimin e barnave esenciale, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Që nga paslufta në Kosovë, asnjëherë spitalet publike në Kosovë nuk kanë arritur ta përmbushin listën esenciale të barnave 100 për qind. Si rrjedhojë, vazhdimisht ka pasur mungesë të tyre dhe pacientët detyrimisht janë obliguar që gjatë trajtimit t’i blejnë vetë ato.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore