Shqipëria

Zelensky në Tiranë: Dështimi i Putinit është siguria jonë, nuk na duhet një Evropë me dinjitete të ndryshme


Për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, një Evropë me dinjitete të ndryshme nuk i duhet askujt dhe dështimi i Vladimir Putinit dhe fushatës që ka nisur kundër Ukrainës dy vjet më parë, është siguria e të gjithë të tjerëve.

Me tone të ashpra kundër regjimit në Moskë, por tepër miqësore për vendet që kërkojnë integrimin drejt Bashkimit Evropian, Zelesky i është adresuar liderëve rajonalë, duke i garantuar se Kievi e mbështet pa kushte rrugëtimin e tyre euroatlantik.

Me një falënderim të posaçëm për Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama, ai vijoi të pasqyronte një plan për restaurimin e paqes, duke prezantuar edhe një Samit Global të Paqes, që pritet të mbahet në Zvicër dhe duke ftuar vendet rajonale të marrin pjesë.

Ai nuk e mohoi gjithsesi se ka pasur probleme me armatimet në Ukrainë, për shkak edhe të pengesave që janë hasur shpesh nga shtete të ndryshme, mbi të gjitha prej SHBA-ve në muajt e fundit.

Ndaj, për të mos qenë gjithnjë të varur ndaj fuqive të mëdha, ai në Samit do t’i propozojë liderëve ballkanikë edhe një formulë për prodhimin e përbashkët të armatimeve, ku për këtë të fundit ka lidhur edhe një marrëveshje fillestare me Shqipërinë.

Zelensky po ashtu e përqendroi retorikën e tij te bashkëpunimi, pasi vetëm kështu kombet mund t’ia dalin të rezistojnë.

“Çdo komb mund t’ia dalë përmes bashkëpunimit mes vendeve. Ne propozojmë që këto përpjekje tonat të gërshetohen dhe të fuqizohen”, përforcoi.

Ndërsa, gjithë përpjekjen e sotme, e quajti një rrugë përcaktuese për fatin e gjithë bashkësisë evropiane.

E gjithë rruga, që brezat e ardhshëm do të ndjekin, përcaktohet sot sipas Zelenskyt dhe regjimi i Putinit nuk mund të lejohet të fitojë, ndaj ai duhet të humbasë.

Një fjalë në hapje e ka mbajtur edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili është mikpritës i kësaj ngjarjeje, së bashku me Zelenskyn.

Ai ka theksuar se paqja e vetme që vendet duan, është ajo e cila respekton Ukrainën dhe të drejtat e saja.

Në fjalën hapëse të mbajtur në krye të Samitit, kryeministri theksoi se e ardhmja që të gjithë në Shqipëri duan, është vetëm ajo e përbashkët.

“Jemi këtu për të rritur solidaritetin tonë për Ukrainën. Duam të përtërisim që Rusia duhet ta ndalë këtë luftë”, theksoi kreu i Qeverisë.

Më tej, ai e përforcoi disa herë faktin se Tirana mbetet e vendosur krah Ukrainës në rezistencën ndaj Rusisë, pavarësisht vetëdijes së një vendi të vogël me kufizime për ndihma financiare dhe ushtarake.

Kjo megjithatë, nuk e kufizon mbështetjen shqiptare për Kievin, por kërkon që kushdo në rajon të kontribuojë në mbijetesën e popullit ukrainas dhe jo fitores së oreksit imperial të Rusisë.

“Të ndalosh ukrainën në vend të Putinit, e shndërron botën në një vend që sundohet nga fuqia, jo të drejtat”, vijoi.

Kjo luftë, sipas Ramës, ka të bëjë thelbësisht me dinjitetin e të gjithëve dhe kombet e vogla nuk duhet të kthehen në ushqim për oreksin e Rusisë.

Duke iu referuar më tej Ballkanit, ai tha parashtroi se ky është një rajon ku pas më shumë se një çerek shekulli brenga të lëna nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe dikaturës së fundit të Evropës ende duhen shëruar.

Zgjidhjen e vetme, e sheh te rezistenca ndaj forcave që e kërkojnë shpërbërjen e asaj çfarë është arritur të ndërtohet deri tani.

“Duhet të vazhdojmë të gjithë të jemi së bashku dhe të mobilizojmë lidhjet dhe kapacitetet tona. Nuk duhet ta lëmë Ukrainën të humbasë dhe Rusinë të fitojë. Një rezultat i tillë do të ishte i papërballueshëm dhe ekzistenca e BE do ishte në rrezik”, paralajmëroi Rama.

Teksa, në mbyllje, e ritheksoi mbështetjen e pakushtëzuar ndaj vetë Zelenskyt dhe Kievit në vijim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore