Lajme

Zelensky kundrejt BE: Duhet municion, armët që dërgohen janë poshtëruese për Evropën


Municioni është “jetik”, por “përdorimi i artilerisë nga ushtarët tanë në front është poshtërues për Evropën. Duhet të bëhet më shumë”.

Kështu është shprehur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kundrejt BE-së.

Në Këshillin Evropian nuk ka munguar vullneti për të pranuar kërkesat e presidentit ukrainas.

Por është në mënyrat për të arritur atje që mbeten disa dallime domethënëse, të cilat u shfaqën dje gjatë përballjes që ndodhi menjëherë pas lidhjes video me Zelensky-n.

Ndryshe nga pritshmëritë, ishte më e lehtë për liderët e BE-së të miratonin konkluzionet për Lindjen e Mesme, të cilat bëjnë thirrje për “një pauzë të menjëhershme humanitare” për të arritur “një armëpushim të qëndrueshëm”.

Kurse në dosjen e Ukrainës, mbeten ende disa pikëpyetje.

Jo të gjitha vendet duan të përdorin fitimet shtesë nga asetet e konfiskuara nga Rusia për të financuar dërgesën e armëve në Ukrainë.

Emetimi i borxhit të përbashkët për të mbështetur ekonomikisht forcimin e industrisë ushtarake evropiane ende has shumë rezistencë.

Edhe plani i Ursula von der Leyen për të centralizuar blerjen e armëve, siç u bë me vaksinat, nuk i bind të gjithë liderët. Duke filluar nga Olaf Scholz.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Viktor Orban – i cili vazhdon të bllokojë këstin e fundit të ndihmës ushtarake prej 500 milionësh – as këtë herë nuk ka hequr dorë nga luajtja dhe ka zgjedhur ditën e Këshillit Evropian për t’i dërguar urimet e tij Vladimir Putin-it për rizgjedhjen e tij.

E para që i është përgjigjur, indirekt, ka qenë kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola: “Zgjedhjet nuk ishin as të lira, as të ndershme”.

Në vend të kësaj, Emmanuel Macron shfrytëzoi rastin për të elaboruar më mirë komentet e tij të fundit mbi mundësinë e dërgimit të njerëzve në Ukrainë, duke shpjeguar në thelb se përballë Putin-it duhet të dukemi të vendosur dhe të gatshëm për çdo gjë.

Por Pedro Sanchez dhe Josep Borrell u përgjigjën se duhet të jemi të kujdesshëm që të mos trembim qytetarët evropianë duke evokuar një klimë lufte.

E në fakt, në momentin e fundit, paragrafi që kërkonte përgatitjen e një plani për t’iu përgjigjur një kërcënimi të mundshëm në kontekstin civil dhe ushtarak u eliminua nga përfundimet.

Sakaq, Scholz bëri të qartë dy pika në fjalimin e tij.

Ai tha se nuk ka nevojë të krijohen struktura të reja apo kompetenca të reja për mbrojtjen evropiane sepse është kompetencë kombëtare.

Një mesazh që u interpretua si një refuzim i prerë i projektit për krijimin e një Komisioneri Evropian për Mbrojtjen, propozuar nga PPE dhe mbi të gjitha nga Ursula von der Leyen.

Jo vetëm kaq.

Scholz pranoi nevojën për të bashkuar forcat për prokurime të përbashkëta në lidhje me blerjet ushtarake për të arritur ekonomi në shkallë, por në të njëjtën kohë ai paralajmëroi për rolin e mundshëm të Komisionit si një qendër e vetme blerëse, përgjatë vijave të çfarë është bërë për vaksinat gjatë pandemisë.

Një mekanizëm që sipas tij do të rrezikonte të ngadalësonte të gjithë procesin.

Scholz mbetet kundër idesë së emetimit të eurobonove për mbrojtjen, për të cilën Macron po mbledh mbështetje.

Dje iu bashkua Kyriakos Mitsotakis dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani e quajti gjithashtu “një ide të mirë”.

Por fronti kundërshtar nuk tërhiqet asnjë centimetër.

Po ashtu në linjën gjermane janë Austria, Suedia dhe Holanda. Pozicioni i Finlandës, tradicionalisht në kampin e kursyer, është më i pasigurt.

“Jo”-ja e Hungarisë ishte gjithashtu e qartë, duke e konsideruar atë “një ide shumë të keqe”.

Ndaj, për momentin flitet në përgjithësi për “studimin e të gjitha opsioneve” dhe çështja është shtyrë për në fund të qershorit.

Çështja tjetër që ka parë mosmarrëveshje ka të bëjë me mundësinë e përdorimit të fitimeve shtesë të krijuara nga asetet e ngrira ruse për të financuar dërgesën e armëve në Ukrainë.

Zelensky bëri thirrje për përdorimin jo vetëm të fitimeve, por edhe të kapitalit fiks.

Në këtë pikë të fundit BE-ja nuk ka ndërmend të pranojë kërkesat e Kievit, ndërkohë që ka dritë jeshile për të tërhequr fitimet shtesë.

Problemi lind kur është e nevojshme të vendoset se çfarë do të përdoret: “Për ne që jemi neutralë – theksoi kancelari austriak, Karl Nehammer – duhet të sigurohemi që paratë të mos shpenzohen për armë dhe municione”.

Një pozicion i mbështetur edhe nga Malta dhe Irlanda. Por mbi të gjitha nga Hungaria.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore