Lajme

Zëdhënësi i talebanëve jetoi “nën hundën” e amerikanëve gjatë gjithë kohës


Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, në një dalje publike është shprehur se ai po jetonte “nën hundën” e forcave amerikane dhe qeverisë afgane në Kabul.

Kjo, ndërsa, të gjithë e konsideruan atë një “fantazmë”.

Pas shumë viteve duke jetuar si një hije, ai ishte dëgjuar vetëm në telefonata, por fytyra e tij nuk ishte bërë kurrë publike.

Mujahid tronditi shumë personalitete të medias, kur u pa duke mbajtur konferencën e parë për shtyp të grupit islamik, pasi morën pushtetin.

Konferenca historike për shtyp ishte dhe hera e parë që ai doli para mediave.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe forcat afgane mendonin se unë nuk ekzistoja”, tha Mujahid për gazetën pakistaneze “Express Tribune”.

Sipas tij, ai ka lëvizur lirshëm në Afganistan, pavarësisht kërkimit masiv nga forcat amerikane.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, në daljen e tij të parë publike

“Unë ika aq shumë herë nga sulmet dhe përpjekjet e tyre për të më kapur, saqë ata menduan seriozisht se Zabihullah ishte një figurë e shpikur, jo një njeri i vërtetë që ekziston”, u shpreh ai.

Perceptimi se Mujahid ishte një figurë e shpikur e ndihmoi atë.

Ai pretendon se ka jetuar në Afganistan gjatë dy dekadave të luftës dhe mendimi për të lënë vendin nuk i shkoi kurrë në mendje.

Pas konferencës së tij për shtyp, gazetarja Yalda Hakim nga rrjeti televiziv britanik “BBC” tha se ishte e tronditur kur pa fytyrën e burrit që ka arritur të mbetet një mister për vite me radhë.

“Zabihullah Mujahid ishte më i përgjegjshëm dhe aktiv se i gjithë ekipi i zëdhënësve të Ghani – për më shumë se një dekadë – por unë tani po e shoh fytyrën e tij”, tha një gazetar tjetër, Sharif Hassan.

Duke folur për jetën e tij personale, Zabihullah tha se ai kishte lindur në vitin 1978, në rrethin Gardez të provincës Paktia dhe lufta e tij e armatosur kundër forcave të huaja filloi kur ishte 16 vjeç.

“Në fazat e para të jetës, kam marrë pjesë në luftime në vende të ndryshme të vendit. Unë gjithashtu u burgosa për gjashtë muaj në epokën e Mehsud-it”, tha Mujahid.

Në deklaratën e tij, ai tha se Zabihullah është emri i tij aktual, por Mujahid iu dha atij nga të moshuarit dhe u dashurua me emrin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore