Shqipëria

Më pak histori dhe më shumë ekonomi


“Ky rajon nuk mund të mbetet më peng i të shkuarës, në asnjë aspekt. Ne nuk jemi karikaturë ballkanike e BE-së”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë Forumit Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal, i cili po zhvillohet në Shkup ditën e sotme, 29 korrik.

Ai ka dhënë një mesazh të vetëm: “Duhet të vrapojmë, për të fituar kohën e humbur”.

Koncepti i njohur, si Schengen rajonal, është më pranë se kurrë. Këtë e kanë konfirmuar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ky i fundit madje ka pohuar me ambicie se 1 janari 2023 do t’i shohë të tre vendet pa kufij.

Ndërkaq, Rama është treguar i qartë kur thelbëson se projektimi i të ardhmes së Ballkanit, është parësor. Brenda vitit të ardhshëm sipas tij, do të ketë njehsim tërësor të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Kjo, e shoqëruar me integrimin e pagesave të TVSH-së në vendet brenda marrëveshjeve.

Bazat mbi nismën janë ato të treguesve nga Banka Botërore, sipas Ramës.

“Nëse duam të rrisim ekonominë, të vetëm rritemi me 2.5%. Nëse kemi marrëveshje, në 6.7%”.

Kjo është e vërteta e kryeministrit shqiptar, i cili “nuk e kupton skepticizmin e tre vendeve të tjera ballkanike, të cilat nuk pajtohen me nismën”.

“Çështjet e së shkuarës zgjidhen shumë më lehtë nëse sytë janë nga e ardhmja. Me sytë nga e shkuara, nuk ka çështje që zgjidhet në emër të së ardhmes”, ka përmbyllur Rama.

Më pak histori dhe më shumë ekonomi

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Rajonal të Bashkëpunimit të mbajtur në Shkup, ka bërë me dije se ambicia e këtij forumi është krijimi i një hapësire vitale ekonomike.

“Jam këtu të flas për Ballkanin dhe popullin tonë”, ishte fjalia hapëse e Zaev-it.

Kryeministri maqedonas bëri me dije se do të ketë një marrëveshje dhe dy memorandume mes Shqipërisë, Serbisë dhe MV-së.

Ai ka theksuar që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të presin më që BE-ja të zgjidhë problemet e brendshme.

“Më pak histori dhe më shumë ekonomi për ne”, ishte mesazhi i Zaev-it.

Kryeministri i MV-së shpjegoi që do të ketë edhe një ndryshim të emërtimit të konceptit të mini-Shengenit.

“Open Balkan”, do të jetë emërimi i ri.

Zaev deklaroi se, nisma rajonale mes Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë përmban katër liritë e BE-së.

Në këtë forum do të ketë nënshkrim të memorandiumit, pasi pritet të ndryshojë legjislacioni i Serbisë dhe MV-së.

Në të, përmbahen edhe dispozita sa i përket formaliteteve për import-eksportin e mallrave, tranzitin e tyre apo bashkëpunimeve doganore.

Zaev ka ravijëzuar se në kuadër të bashkëpunimit do të rritet edhe Prodhimi i Brendshëm Bruto i secilit prej vendeve, ku sipas tij kjo do t’i ofrojë ata më afër Bashkimit Evropian.

Edhe njëherë Zaev i ka ftuar vendet e tjera të rajonit të bëhen pjesë e nismës rajonale.

“Qëllimi përfundimtar është të arrijmë ‘no stop-just go’, të mos ketë ndalesa në kufijtë mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe të shpresojmë edhe për vendet tjera”, finalizoi Zaev.

2023-shi pa kufij

Fill pas fjalës së Zaev-it, në podium u ngjit kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Gjatë fjalimit të tij, ai u shpreh se “nuk duhet të presim nga të tjerët, por të marrim vetë fatin tonë në dorë”.

“Qytetarëve tanë duhet t’u dëshmojmë që jemi të aftë të mendojmë për vetveten dhe të mos presim që dikush do të na udhëzojë apo drejtojë, të marrim përsipër fatin tonë”, ka deklaruar kryeministri serb.

Vuçiç njoftoi se, më 1 janar të vitit 2023, nuk do të ketë më kufij mes tre shteteve dhe nuk do të ndalohet më askush.

“Ne duhet të kemi besim të plotë te njëri-tjetri, sepse vetëm kështu nuk do të shikojmë të keqe apo qëllim të fshehtë në propozimet tona”, u shpreh ai.

Gjatë deklaratës së tij, kryeministri bëri me dije se më 15 tetor do të ketë një takim në Beograd dhe më pas në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore