Sport

Xhaka: Nuk duhej ta bëja shqiponjën në ndeshjen ndaj Serbisë


Granit Xhaka është kthyer edhe njëherë për të diskutuar ndeshjen e Kupës së Botës të vitit 2018 që u mbajt në Rusi.

Xhaka me Zvicrën e tij u përballen me Serbinë, ku ai dhe Xherdan Shaqiri ishin bërë protagonist në atë ndeshje duke i mposhtur serbët me dy golat e shënuar nga dy futbollistët kosovarë.

Pasi shënuan, ata festuan duke bërë simbolin e shqiponjës me duar dhe kaq mjaftoi që të bëhej kryetemë e mediave botërore.

Por, jo vetëm futbollistët shqiptarë e bën shqiponjën me duar, pasi atyre iu bashkua edhe kapiteni Stephan Lichtsteiner dhe Xhaka e Shaqiri u dënuan edhe me nga një gjobë prej 10 mijë euro.

Gjithsesi e bukura ishte se dy shqiptarët gjunjëzuan Serbinë.

Tani, shorti i ka vënë përballë përsëri Zvicrën me Serbinë në një grup të Botërorit në Katar që do të fillojë edhe shtatë ditë.

Në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick”, Granit Xhaka thotë se nuk duhej ta bënte festimin me shqiponje.

“Po, ju kam dhënë gjithmonë histori të mira me Kombëtaren. Gjithçka shkoi mirë në ndeshjen me Serbinë, përveç shqiponjës. Nuk duhej ta kisha bërë këtë”, ka thënë Xhaka për “Blick”.

“E dini, unë kam pasur dy momente të rënda në karrierën time. Një në ndeshjen me Arsenal-in ndaj Crystal Palace kur më sulmuan dhe atë në ndeshjen kundër Serbisë kur bëra atë gjest”, vazhdoi tutje Xhaka.

Ndërkohë Blick shkruan se emocionet e Xhakës janë të shpjegueshme, pasi babai i Granitit, Ragipi ishte i burgosur politik nga serbët për tre vite.

“Ajo që përjetoi babai im është diçka që nuk do t’ia dëshironi askujt. Deri më sot e di vetëm gjysmën e kësaj historie të tmerrshme.

“Kur isha 20-vjeçar, doja të dija çdo detaj. E pyeta dhe e pyeta derisa babai im iku sepse nuk duronte më. Tani e di që duhet të jem i kujdesshëm. Ishte një kohë e keqe për të”, vazhdoi Graniti.

Në fund Xhaka tha se asnjë anëtar i familjes së tij nuk do të udhëtojë në Katar për ta përkrahur atë nga afër.

Kujtojmë që në Grupin G, përveç Zvicrës dhe Serbisë, bëjnë pjesë edhe Brazili e Kameruni, që njëkohësisht shihet si grupi më i fort në këtë Botëror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore