Sport

Xhaka: Do të luajë ndaj vendit që më rreh zemra


Kosova dhe Zvicra do të përballen në një takim miqësor, që do të zhvillohet më 29 mars në Zurich.

Kjo ndeshje do të jetë e veçantë për futbollistin nga Prishtina, Granit Xhakën, i cili do të luajë kundër vendit të tij, por njëkohësisht kjo do të jetë ndeshja e 100-të e tij me fanellën e Zvicrës.

Në një konferencë për media, Xhaka tha se kjo ndeshje do të jetë një emocion i veçantë për të.

“Ndeshja ime e 100-të kundër Kosovës, ndaj një kundërshtari për të cilin më rreh zemra. Kjo është diçka e pabesueshme”, tha Granit Xhaka.

“Është e pabesueshme të jem në fushë kundër Kosovës. Më bën dy herë më shumë krenar për të gjithë familjen, për veten time, për të gjithë, të luaj ndeshjen time të 100-të në kombëtare kundër Kosovës”, shtoi mesfushori i Arsenal-it.

“E pres me padurim këtë ndeshje, do ta shijoj. Miqtë e mi, familja ime dhe shumë mbështetës nga Kosova do të jenë aty. Për mua do të jetë një kënaqësi, tha mes tjerash Xhaka.

Xhaka deri më tani ka zhvilluar 98 ndeshje zyrtare me fanellën e përfaqësueses helvete, ku vetëm pesë futbollistë kanë më shumë paraqitje se ai.

Heinz Hermann mban rekordin me 119 paraqitje, pastaj Stephan Lichtsteiner me 108, Stephane Chapuisat me 103 dhe Xherdan Shaqiri me 100.

Dhe, kapiteni i Zvicrës mendon që shumë shpejtë do ta thyejë rekordin e Hermannm pasi që Xhaka është 29 vjeçar.

Kujtojmë që Zvicra do të luajë një ndeshje miqësore me Anglinë më 26 mars, para takimit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore