Sport

Werder Bremen cakton çmimin e Milot Rashicës


Pavarësisht se kishte performancë të mirë menaxhuese në këtë sezon, Milot Rashica mbetet kandidati kryesor i përfitimeve financiare te skuadra e Werder Bremen.

Rënia nga Bundesliga, ka bërë që ekipi i Werder Bremen të heqë dorë nga shërbimet e yllit të Kosovës, që dikur kishte refuzuar shumë miliona euro për të.

Skuadra e Werder, tashmë ka vendosur çmimin e Milot Rashicës dhe klubi i cili dëshiron shërbimet e tij, duhet të paguajë 15 milion euro.

Forma e mirë që tregoi Rashica në sezonin 2018/19, duke shënuar nëntë gola dhe dhuruar pesë asistime gjatë 26 ndeshjeve, ka bërë që klubi anglez, Aston Villa, të bëjë një ofertë prej 30 milionë eurosh për futbollistin nga Vushtrria.

Mirëpo në atë kohë, skuadra e Bremen kishte refuzuar këtë ofertë, duke kërkuar 50 milionë euro.

Përveç klubit anglez, në drejtim të Rashicës, kishin ardhur edhe oferta të tjera nga shumë klube të mëdha evropiane, por Werder nuk donte të hiqte dorë nga Miloti.

Edhe sezoni 2019/20 shkoi mirë për Rashicën, ku ai realizoi 11 gola në 34 paraqitje në të gjitha garat për skuadrën e tij.

Mirëpo, pas ndërprerjes së futbollit për shkak të pandemisë, forma e futbollistit 24-vjeçar ishte në rënie e sipër, ashtu sikurse edhe ofertat në drejtim të tij.

Ai në sezonin që lamë pas kishte paraqitje mjaftë të zbehta, madje duke humbur pozitën e titullarit në shumë ndeshje.

Rashica ka kontratë me klubin nga Bundesliga deri në vitin 2022, por largimi i tij këtë verë duket të jetë i pashmangshëm.

Në Gjermani, futbollistin kosovar e pëlqejnë Leipzig dhe Bayer Leverkusen, ndërsa në Itali e duan Milano dhe Napoli, kurse në Angli, përveç Aston Villas, interes për të kanë shfaqur edhe Leeds e Southampton.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore