Lajme

Vuçiçi paralajmëron “skenarë të paparashikueshëm” për Kosovën


Aleksandar Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi të hënën “skenarë të paparashikueshëm dhe pasoja të mëdha” në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, derisa shprehu nevojën për “ndërmjetësim të besueshëm dhe mbështetje ndërkombëtare” nga Organizata e Kombeve e Bashkuara (OKB) për të parandaluar “inxhinierinë dinake etnike” ndaj serbëve të Kosovës.

“Është koha të kuptohet se nëse populli serb në Kosovë nuk mund të mbështetet në OKB-në si një arbitër objektiv dhe dikush që do të parandalojë inxhinierinë dinake etnike të Prishtinës, kam frikë se kjo do të sjellë mundësinë e skenarëve të paparashikueshëm me pasoja të mëdha”, tha presidenti serb në “Facebook” pas seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Vuçiçi nuk ofroi detaje rreth paralajmërimeve për “skenarë të paparashikueshëm dhe pasoja të mëdha” në të ardhmen, por referenca misterioze vjen në mes të tensioneve në kufirin Kosovë-Serbi që arritën kulmin pas sulmit paramilitar serb në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veriun e Kosovës vjeshtën e vitit të kaluar.

Gjatë adresimit në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u shqyrtua raporti gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e misionit mbështetës në Kosovë (UNMIK), presidenti serb pretendoi se ndaj serbëve në pjesën veriore të Kosovës vazhdojnë “sulmet sistematike” të autoriteteve kosovare, por pa ofruar asnjë provë.

Ndryshe, megjithëse anëtarët e Këshillit të Sigurimit janë të bashkuar në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, ndarjet midis anëtarëve të përhershëm – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe – vazhdojnë ta karakterizojnë qasjen ndaj këtyre zhvillimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore