Lajme

Vuçiç takohet me ambasadorin e Rusisë në Beograd, bisedojnë për situatën në Ukrainë


President i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është takuar me ambasadorin e Rusisë, Aleksandër Botsan-Kharchenko, me të cilin ka biseduar për situatën në Ukrainë, shkruan Tanjug.

“Serbia gjithmonë do të udhëhiqet nga interesat e saj jetike politike dhe ekonomike dhe do të angazhohet për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”, tha Vuçiç.

Vuçiç shtoi se Serbia është duke i monitoruar me kujdes ndryshimet në planin gjeopolitik, duke theksuar se sfidat, për shkak të ngjarjeve në Evropën Lindore, janë në rritje.

Më 2 mars, kreu i shtetit serb është shprehur i shqetësuar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, duke e quajtur situatën tejet të vështirë për të dhe shtetin e tij, ndërkohë që ka theksuar se ky është vetëm fillimi i presionit mbi Serbinë për t’u rreshtuar me Perëndimin kundër Rusisë.

Vuçiç ka paralajmëruar edhe përgatitjen e disa kurtheve, siç e quan ai, për Serbinë, pasi që Kosova po kërkon anëtarësimin në NATO.

“Pres që në periudhën e ardhshme të ketë disa kurthe për Serbinë. E patë që shqiptarët aplikuan për anëtarësim në NATO, e patë që morën mbështetjen e një forcë si Turqia”, ka thënë Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore