Lajme

Vuçiç propozon Millosh Vuçeviç-in për Kryeministër të Serbisë


Aleksander Vuçiç dhe Millosh Vuçeviç

Millosh Vuçeviç, kryetar i Partisë Progresive Serbe (SNS), është mandatuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të formuar qeverinë e re serbe, pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Vuçiç, përmes një postimi në Facebook.

“I propozoj Kuvendit Kombëtar të Republikës së Serbisë Millosh Vuçeviç-in kandidat për Kryeministër të Republikës së Serbisë”, ka shkruar Vuçiç.

Në këtë pozitë, Vuçeviç do ta pasojë Ana Brnabiç-in, e cila ka kaluar në postin e kryetares së Kuvendit të Serbisë.

Deri më tani ai ka mbajtur postin e Ministrit të Mbrojtjes dhe Zëvendëskryeministrit të Serbisë, e më parë ka qenë kryetar i Novi Sadit.

Ai pasoi Vuçiç-in në postin e presidentit të SNS-së dhe në atë post u zgjodh në maj të vitit të kaluar.

Vuçeviç është një nga njerëzit më besnikë të Vuçiç-it.

Ai është anëtar i Partisë Progresive Serbe që nga themelimi i saj dhe në vitin 2011 u bë kryetar i komitetit të Novi Sadit dhe një vit më vonë u zgjodh kryetar i komunës së Novi Sadit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore