Lajme

Vuçiç pas takimit me Hillin: Biseduam për situatën në Kosovë dhe propozimin e BE-së për dialogun


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, me të cilin ka biseduar për situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe për propozimin e Bashkimit Evropian për vazhdimin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

“Një bisedë e hapur dhe konkrete me ambasadorin amerikan Christopher Hill për situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe propozimin e BE-së për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën”, shkroi Vuçiç në Instagram.

Ai ka theksuar se me diplomatin amerikan ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Theksova rëndësinë e përfshirjes së SHBA-së në parandalimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të shkaktuara nga Prishtina dhe domosdoshmërinë e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Lajçak: Takimi Kurti-Vuçiç brenda javëve, s’kemi kohë për të humbur

Ndryshe, më 5 dhe 6 dhjetor, në Kosovë dhe Serbi ka qëndruar për vizitë i deleguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas diplomatit sllovak, Unioni po dëshiron të përdorë këtë momentum, pas arritjes së një marrëveshje për çështjen e targave, për të aranzhuar një takim të nivelit të lartë i cili do të adresonte çështjen e normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Takimi mund të mbahet brenda javëve. Nuk kemi kohë për të humbur, e njëjta nuk duhet cilësuar si presion, por duhet ta përdorim këtë moment pozitiv”, pati deklaruar Lajçak.

“Kemi një situatë pozitive në terren, prandaj po dëshirojmë që fokusin ta orientojmë drejtë bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve”.

Ai tutje ka thënë se nuk mund ta japë afate se kur mund të arrihet marrëveshja mes dy vendeve dhe se kjo varet nga angazhimi dhe puna e Kosovës dhe Serbisë.

Lajçak ka bërë të ditur se në takim me Kurtin është diskutuar edhe situata në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore