Lajme

Vuçiç arsyeton Listën Serbe: Numri i votuesve shqiptarë u rrit artificialisht


Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë adresimit në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), pretendoi se rritja e numrit të votuesve shqiptarë u ngrit në mënyrë artificiale para procesit të votimit për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore, prandaj, sipas tij, duhet të kuptohet bojkotimi i votimit të 21 prillit nga Lista Serbe.

Një numër i vogël i qytetarëve në komunat veriore shfrytëzoi të dielen të drejtën e votës për të votuar për ose kundër shkarkimit të kryetarëve aktual. Në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, partia kryesore e serbëve të Kosovës vendosi që edhe njëherë t’u bëjë thirrje qytetarëve të komunitetit serb në veri që të mos u përgjigjen proceseve demokratike në vend.

Vuçiç pretendoi se ndaj serbëve të Kosovës vazhdojnë “sulmet sistematike” nga autoritetet kosovare, por pa ofruar asnjë provë. Ai theksoi se veprimet e fundit të autoriteteve në Kosovën krijuan “kushte të padurueshme” për komunitetin serb që përbën shumicën e popullsisë në pjesën veriore të territorit kosovar, derisa përmendi ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

Përgjatë adresimit para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, presidenti serb përmendi edhe “premtimet e pambajtura” rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, por edhe sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit në veri të Kosovës, duke kërkuar që kjo ngjarje të mos bëhet pretekst për “persekutimin” e serbëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore