Shqipëria

Vrau të miturën me skaf, polici do të akuzohet për “Vrasje e kryer nga pakujdesia”


Polici i akuzuar për vrasjen e 7-vjeçares u arrestua dhe akuzohet për veprën penale “Vrasje e kryer nga pakujdesia”.

Njoftimi erdhi nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila e arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë së Shtetit, A.T., me detyrë Shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, pas kryerjes së krimit.

Ngjarja e dhimbshme ka ndodhur në datën 2 shkurt 2022, rreth orës 14:00, në plazhin e Potamit në Himarë, ku shtetasi A.T., i cili ishte me pushime, ka qenë duke drejtuar një mjet lundrues me dy motorë, ndërsa në bord kishte edhe familjarë të tij.

Pasi ka zbarkuar në breg personat e tjerë, punonjësi i Policisë së Shtetit ka kryer manovrime të pakujdesshme dhe ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, shtetasen e mitur J.A., duke i shkaktuar plagë të rënda që kanë sjellë humbjen e menjëhershme të jetës.

Nga AMP bëhet me dije se në plazhin e Potamit, është e ndaluar të lëvizet me mjet lundrues pasi është hapësirë ujore e përcaktuar për pushuesit.

“Kjo hapësirë ujore ka qenë e rrethuar me bova plastike, sipas përcaktimeve në aktet ligjore që normojnë këtë aktivitet”, shkruhet në njoftim.

Pas veprimeve hetimore në vendngjarje, administrimin e provave që dokumentojnë fajësinë e shtetasit A.T. për veprën penale të “Vrasjes së kryer nga pakujdesia”, hetimet janë shtrirë edhe ndaj strukturave policore, të cilat në fushën e veprimtarisë që u ngarkon ligji, kanë përgjegjësinë për kontrollin dhe monitorimin e sigurimit të hapësirave ujore të rrethuar me bova për pushuesit.

Gjithashtu grupi hetimor ka sekuestruar mjetin lundrues, i cili rezulton me dokumentacion të rregullt ligjor.

Në njoftimin e AMP-së shkruhet se bazuar në veprimet procedurale të kryera deri në këtë fazë, janë marrë në cilësinë e “personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime”, pesë drejtues të strukturave policore në Vlorë, Himarë dhe Dhërmi.

Materialet procedurale i dërgohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe grupi hetimor i AMP vijon hetimet për të dokumentuar me prova ligjore përgjegjësinë penale të punonjësve të Policisë të sipërpërmendur.

Reagimet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me anë të një postimi në median sociale Twitter mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur mesditën e 2 gushtit në Himarë, ku një vajzë 7-vjeçare ka mbetur e vdekur pasi është përplasur nga një mjet lundrues, i cili po kryente manovra të rrezikshme.

“Tragjedia e familjes së të miturës në Himarë është rrëqethëse dhe s’ka fjalë ngushëlluese për dhimbjen. Uroj që fajtori të marrë ndëshkimin më ekstrem nga drejtësia dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit të nxjerrin mësimet e duhura e t’u japin mësimin e duhur trupave përgjegjëse!”, shkruan kreu i Qeverisë në Twitter.

Ndërsa, një koment ai nuk e kurseu as për faktorin politik apo medial, duke hedhur akuza.

“Nuk mungoi as në këtë rast kafshëria politiko-mediatike e atyre që urojnë e presin veç fatkeqësi, për të ushqyer zjarrin e luftës së tyre politike të paudhë dhe të pashpresë!”, e përmbyll kryeministri reagimin.

Ish-presidenti i Shqipërisë dhe aktualisht kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një deklaratë për mediat ka thënë se “shteti ka rënë”.

Në kuadrin e një reagimi për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Himarë, ku një efektiv i Policisë së Shtetit goditi për vdekje një vajzë shtatë-vjeçare, Meta bëri fajtore strukturat shtetërore dhe tha se “gjithçka Qeveria bën, është t’i shmanget përgjegjësisë”.

“Kujtoni ngjarjet e rënda ku policë me policë janë goditur, këto tregojnë që shteti ka rënë, kjo tregon që policia nuk është në shërbim të popullit, por përdoret”, parashtroi Meta në fjalën e tij.

Ai solli në kujtesë disa ngjarje, përfshi vrasjen e të riut Klodian Rasha nga një efektiv policie gjatë kohës së pandemisë, apo edhe vrasjeve të ndodhura në Fushë-Krujë dhe Milot së fundmi, ku autorët ende nuk janë vënë në pranga.

“Nuk jemi popull për tu shtypur nga askush dhe aq më tepër nga policia”, vijoi më tej ai. “Nuk kemi fëmijë për të humbur nga kjo papërgjegjshmëri dhe arrogancë”.

Teksa në mbyllje, kërkoi që të merren masa të menjëhershme për të rivendosur besimin mes Policisë dhe popullit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore