Lajme

Vrasje apo vetëvrasje, dilema në Turqi


Vitin e kaluar, 300 gra u vranë në Turqi. Kjo, sipas një organizate për të drejtat e grave. Numri i rasteve të paregjistruara mund të jetë shumë më i lartë, pasi vdekjet e femrave shpesh paraqiten si vetëvrasje.

Vrasjet e tyre janë shumë të zakonshme në këtë shtet. Njëkohësisht, lajmet për krime të tilla tronditin vazhdimisht pjesën më të madhe të vendit. Gratë kanë qenë të zëshme në kërkimin e mbrojtjes nga dhuna. Por qeveria ka bërë pak për t’i ndihmuar ato.

Vrasja në maj të 2018-ës e 23-vjeçares në Ankara, Sule Cet, është ajo që nuk harrohet në Turqi. Gruaja e re u përdhunua në zyrë nga dy burra të dehur, njëri prej të cilëve shefi i saj. Më pas, ajo u hodh nga dritarja e bllokut shumëkatëshe. Burrat i thanë policisë se Cet i kishte marrë jetën vetes. Ndonëse, mjeku ligjor kishte zbuluar një qafë të thyer dhe qetësues në gjak, prova që nuk përputhen me vetëvrasjen.

Gjyqi zgjati gjashtë muaj e u shoqërua me demonstrata dhe shprehje solidariteti nga gratë. Rasti u ndoq gjithashtu me shumë dhembshuri në mediat sociale. Presioni publik solli rezultate, me gjykatën në Ankara, që e dënoi autorin me burgim të përjetshëm dhe bashkëpunëtorin e tij me gati 19 vite burg.

Në atë kohë, grupet e të drejtave të grave shpresonin që vëmendja që tërhoqi çështja do të nxisë një ndryshim në shoqëri.

A ishte çështja e Sule Cet një përjashtim?

Fatkeqësisht, duket se nuk kanë ndryshuar shumë që nga ajo kohë, me disa raste të reja në të cilat pretendimet e vetëvrasjes u përdorën në një përpjekje për të mbuluar vrasjet e grave. Kohët e fundit, vdekja tragjike e 35-vjeçares Ayten Kaya nga qyteti juglindor turk i Dijarbakir ka bërë tituj kryesorë. Kaya u gjet e lidhur në shtëpinë e saj. Hetuesit arritën në përfundimin se ajo kishte kryer vetëvrasje. Zyra e prokurorit të shtetit e mbylli çështjen.

Por të afërmit e gruas nuk e pranojnë atë version të ngjarjeve. Ata besojnë se ajo u vra dhe thonë se dosja e çështjes ishte plot vrima dhe kontradikta.

Aktivistët e të drejtave të grave fajësojnë gjyqësorin

Avokatja Gurbet Gozde Engin është anëtare e degës së Rosa në Dijarbakir, një shoqatë për gratë. Ajo raporton se katër gra të tjera vdiqën në rrethana të ngjashme gjatë javëve pas vdekjes së Ayten Kaya. Sipas saj, prokurorët refuzuan t’i hetojnë ato. “Në rastet kur gratë kanë vdekur në rrethana në të cilat vetëvrasja duket shumë e dyshimtë, atëherë duhet të jetë e mundur të drejtohen hetimet në një drejtim tjetër. Nuk është vetëm një krim për të vrarë, është gjithashtu një krim që të shpallësh vrasjet e grave si vetëvrasje”.

300 vrasje të femrave, 171 vdekje të dyshimta

Fushatat e mediave sociale mbi këtë temë dhe veprimi i vendosur i grupeve të të drejtave të grave po i bën presion qeverisë dhe gjyqësorit gjithnjë e më shumë. Por, deri tani duket e pamundur të dallohet ndonjë vullnet i vërtetë politik për të luftuar dhunën ndaj grave. Kjo, përkundër faktit se 300 vrasje femërore u regjistruan në vitin 2020, sipas shifrave të botuara nga organizata e quajtur We Will Stop Femicides. Organizata thotë se 171 gra të tjera u gjetën të vdekura nën rrethana të dyshimta në Turqi gjatë të njëjtës kohë, disa nga ato raste përfshinin edhe vetëvrasje të pretenduara.

Shumë gra turke po shpresojnë për ndryshime në Konventën e Stambollit të Këshillit të Evropës. Traktati për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje daton që nga viti 2014, me konventën që detyron nënshkruesit të krijojnë një kornizë për ta bërë këtë. Turqia ratifikoi marrëveshjen pesë vjet më parë, duke e mbështetur atë ligjërisht, duke miratuar një ligj për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe për të mbrojtur familjen.

Por në praktikë, kritikët thonë se normat ligjore të Konventës së Stambollit nuk janë miratuar dhe masat e parashikuara të mbështetjes dhe mbrojtjes për gratë nuk janë realizuar. Dhuna dhe diskriminimi ndaj grave mund të parandalohen vetëm nëse gjyqësori dhe agjencitë e zbatimit të ligjit të Turqisë në të vërtetë zbatojnë konventën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore