Lajme

Vrasja e Mohamed-it trondit sërish Francën, qëllohet për vdekje nga një plumb gome


Natën mes të shtunës së 1 korrikut dhe të dielës, 27-vjeçari Mohamed ishte në qendër të Marsejës.

Ai ndodhej në rrugën kryesore në zemër të qytetit.

I riu nuk merrte pjesë në incidente, si shumë të tjerë, thjesht merrte celularin dhe filmonte skena të dhunës.

Papritur rinisi ndërhyrja e një grupi policësh, të cilët imobilizojnë një burrë në tokë, pak metra larg tij.

Mohamed rrëzohet.

“Ndoshta u godit nga një plumb i tipit flashball”, ka thënë zyra e prokurorit të Marsejës.

Një plumb i tillë është një plumb gome me një diametër prej 44 milimetrash, me peshë 29 gram dhe nëse gjuhet duke respektuar kushtet e përdorimit, nuk është vdekjeprurës.

Por Mohamed u godit nga afër dhe aq dhunshëm saqë zemra iu ndal.

Në kohën kur ekipet e shpëtimit arritën, ai tashmë kishte ndërruar jetë nga arresti kardiak.

“Bashkëshorti im nuk bëri asgjë të keqe”, ka thënë gruaja e tij Nour mes lotësh.

“Nuk po bënte asgjë. Edhe magjistrati i prokurorisë më tha që nuk ishte me rebelët. Një polic duhet ta ketë parë atë duke filmuar dhe ka qëlluar drejt tij. Kur u përpoqën ta shpëtonin, ai tashmë kishte vdekur”.

“Tani jam në shok, ai më la me një 2-vjeçare dhe unë jam 1-muajshe shtatzënë. Mund ta imagjinoni kur të rriten? Çfarë do t’u them?”.

Frika është se vdekja e tij do të ringjallë një zemërim që kishte filluar të zbehej pas vrasjes së 17-vjeçarit Nahel në Nanterre më 27 qershor.

Në Marsejë ka një precedent tragjik.

Më 1 dhjetor 2018, qyteti u bë skenë e incidenteve, për protestën e jelekverdhëve.

Policia hodhi gaz lotsjellës në rrugë dhe një algjeriane, Zineb Redouane, 80 vjeç, në Marsejë për 40 vjet, iu afrua dritares së shtëpisë së saj për të mbyllur grilat dhe për të parandaluar hyrjen e tymit.

Por ajo nuk ia doli në kohë.

U godit në kokë nga një granatë gazi lotsjellës. Fjalët e fundit, në telefon me vajzën e saj, ishin: “polici më vuri në shënjestër, e pashë”.

E moshuara ndërroi jetë nga arresti kardiak të nesërmen, pasi hyri në sallën e operacionit.

Polemikat e përsëritura për armët “e ndërmjetme” apo “nën-vdekjeprurëse” të ofruara nga policia janë përsëri në plan të parë, të cilat janë kërkuar për ndalim për të paktën dhjetë vjet.

Por që mbeten në qendër të veprimit të policisë.

Armët që gjuajnë me plumba gome janë të dizajnuara për të lënduar dhe dekurajuar sulmuesit.

Ama për vite me radhë janë përdorur sistematikisht në mënyrë të pahijshme dhe gjatë revoltës së jelekëve të verdhë shkaktuan gjymtimin të shumë demonstruesve.

Amnesty International ka numëruar 83 persona të plagosur, të cilët kanë paraqitur raporte për lëndime, ndërmjet nëntorit 2018 dhe majit 2019.

Në vitin 2019, një organ shtetëror bëri thirrje për ndalimin e kësaj arme, por regjimi i ri i policisë që ka hyrë në fuqi në dhjetor 2021 nuk ka ndryshuar përdorim.

Video të shumta kanë dokumentuar se në shumë raste viktimat e goditjeve nuk janë huliganë, por kalimtarë apo protestues paqësorë.

Dhe dyshimi është se teprimet nuk janë tërësisht shkakësore, por janë pjesë e një doktrine të përgjithshme që synon të ruajë rendin publik përmes frikës, duke dekurajuar efektivisht demonstratat në rrugë.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore