Lajme

Von Cramon për zgjedhjet në Serbi: Pati mashtrim me votues fantazmë dhe blerje votash


Viola von Cramon

“Ajo që kishim në Serbi më 17 dhjetor, siç e pamë, ishte mashtrim masiv zgjedhor me votues fantazmë, blerje votash dhe presion, veçanërisht ndaj zyrtarëve publikë”, ka thënë raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon.

Këto komente, Cramon i ka bërë në platformën X, derisa ka theksuar se deklaratat e kryeministres serbe, Ana Branbiç, e cila sulmoi vëzhguesit evropianë, duke thënë se parregullsitë që ata i vënë në pah nuk janë vërejtur në procesverbale, janë “krejtësisht të papranueshme”.

Brnabiç, duke folur për deklaratat e ekipit monitorues evropian në procesin zgjedhor në Serbi më 17 dhjetor, përkatësisht për vëzhguesin Stefan Senahun dhe Andeas Shideri, të cilët shpërfaqën parregullsitë që Partia Progresive Serbe (SNS) e Brnabiç-it i ka bërë, ka thënë se vëzhguesit nga Evropa kanë “gënjyer”, derisa pretendoi se “destabilizojnë” Serbinë me deklaratat e tyre për zgjedhjet, edhe pse, sipas saj, “nuk kanë pasur komente në procesverbalet për vendvotimet”.

“Ishin vëzhgues që drejtonin delegacionet e Parlamentit Evropian dhe misionin vëzhgues të Këshillit të Evropës. Ajo që ata bënë më pas, të gjitha paraqitjet e tyre të ftuara në media, është në kundërshtim me kodin etik të vëzhguesve ndërkombëtarë”, tha Brnabiç në një intervistë për median pro-pushtetit në Serbi “TV Pink”.

Lexo edhe këtë: Zgjedhjet në Serbi s’ishin në përputhje me standardet e BE-së, parregullsitë ishin të hapura dhe brutale, thotë Groshelj 

Sipas Brnabiç-it, të dy vëzhguesit evropianë ishin në qendrat e votimit që zgjodhën, dhe nuk kishin asnjë kundërshtim, “por pastaj shkuan në media dhe me ditë të tëra gënjejnë, ngacmojnë, destabilizojnë drejtpërdrejt Serbinë sepse thonë se kanë parë votues fantazmë dhe se dëgjova se ata thanë se 50.000 njerëz u sollën në Beograd për të votuar”.

Sipas saj, duke ironizuar, për Senahun dhe Shiderin, “kulmi i demokracisë janë zgjedhjet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Veri të Kosovës”, të cilat u bojkotuan nga serbët.

“Por kur (përfaqësuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Vladimir) Bilçik, i cili është përfaqësuesi i grupit më të madh në Parlamentin Evropian, thotë diçka, atëherë është fatkeqësi sepse ai tha atë që nënshkruan Senahu dhe Shider”, shtoi.

Ajo ka theksuar se në zgjedhjet e 17 dhjetorit, në Komisionin Republikan të Zgjedhjeve të Serbisë (KRZ) ka pasur 109 kundërshtime dhe 3 ankesa më pak se në zgjedhjet e prillit 2022.

Brnabiç deklaroi se në Komisionin Zgjedhor të Qytetit (GIK) kishte vetëm një ankesë për zgjedhjet e Beogradit, se opozita, sipas saj, nuk kishte për çfarë të ankohej.

Sipas saj, opozita priste të shihte rezultatet e zgjedhjeve, për të thënë më pas se nuk i njeh ato.

“Nuk ka asnjë tregues se ajo që opozita thotë për parregullsitë zgjedhore është e vërtetë, është një përpjekje e hapur për destabilizimin”, tha ajo.

Brnabiç: Vëzhguesit e huaj gënjejnë dhe destabilizojnë Serbinë – s’pati parregullsi në zgjedhje

Ndërsa, opozita, përkatësisht koalicioni “Serbia kundër dhunës”, ka kontestuar zgjedhjet e 17 dhjetorit, duke kërkuar ripërsëritjen e zgjedhjeve parlamentare, provinciale, e posacërisht atyre lokale, kjo për shkak të parregullsive që SNS-ja – partia që ka pushtetin atje që 10 vjet – i ka bërë në këtë proces.

Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë të enjten se autoritetet shtetërore të Serbisë janë duke hartuar “një letër të rëndësishme për ndërhyrjen e një vendi të rëndësishëm në procesin zgjedhor të Serbisë në mënyrën më brutale”.

Këto komente të Vuçiç-it vijnë pasi që bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë shprehur shqetësimet e tyre për mënyrën se si është zhvilluar procesi zgjedhor në Serbi më 17 dhjetor, për shkak të parregullsive që janë hasur gjatë procesit, por edhe gjatë fushatës zgjedhore, e për të cilat është akuzuar Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit serb.

“Do të përfundojë deri në Vitin e Ri dhe pastaj do ta dërgojmë në të gjithë botën në mënyrë që të shihet se si kryhet kjo lloj ndërhyrje në proceset që i përkasin sovranisht një vendi të pavarur”, u tha Vuçiq gazetarëve në Vrbas, transmeton media opozitare serbe “Danas”.

Vuçiç: Dikush, një shtet i fuqishëm, na ka ndërhyrë në zgjedhje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore