Lajme

Vogel: S’është sekret që Kurti ka bërë armiq në Uashington e Bruksel


Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel

Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, thotë se nuk është sekret që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka armiq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

“Nuk është sekret që Kurti ka bërë armiq edhe në Uashington, edhe në Bruksel. Ai nuk është i pëlqyeshëm dhe shihet si i vështirë. Nëse kjo është e justifikueshme ose jo, mund të kemi një diskutim të gjatë, por mendoj se është fakt që është i dukshëm”, tha Vogel në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

“Kur shikoni paraqitjet e diplomatëve të huaj me Kurtin dhe i krahasoni me paraqitjet e tyre me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, vëreni se marrëdhënia me Vuçiç-in është më e afërt, më e përzemërt, më personale sesa me Kurtin”.

Por, thekson se është e rëndësishme të pranohet se kryeministri Kurti ka bërë disa gabime mjaft elementare në trajtimin e gjithë kësaj çështjeje në muajt e fundit.

“Por, për mendimin tim, sanksionet janë krejtësisht joproporcionale. Ka qenë Serbia ajo që ka shkelur e para Marrëveshjen e Ohrit, duke bërë që shumë të votojnë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Nuk ka pasur as sanksione, as kritika publike. Kështu që e kam të vështirë t’i shoh si të justifikueshme, por gjithashtu jam skeptik se ato do ta kenë efektin e dëshirueshëm”, shtoi ai.

Sipas tij, është e rëndësishme të shikohet edhe konteksti më i gjerë politik, meqë ka theksuar se BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, qartazi, kanë arritur në përfundimin se problemi në moszbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është pothuajse tërësisht në anën e Kosovës.

“Është bërë evidente se politika perëndimore është tërësisht e fokusuar tek Aleksandër Vuçiç. Dhe, natyrisht, kjo nënkupton se Kosova po trajtohet në mënyrë të padrejtë. Kosova shihet si më e dobëta nga të dyja palët në dialog. Pra, presioni joproporcional është ushtruar gjithmonë mbi Kosovën”.

Ai ka potencuar se “gjuha e ashpër” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, në muajt e fundit, ka qenë e dukshme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore