Shqipëria

Vlora Hyseni, një nga asetet e inteligjencës kosovare emërohet drejtore e SHISH-it në Shqipëri – një tjetër eksperte e humbur për shkak të lojës politike në Kosovë


Foto nga Albanian Post, Vlora Hyseni

Vlora Hyseni, një nga kuadrot më të përgatitura në fushën e inteligjencës dhe sigurisë në Kosovë, e shkolluar dhe trajnuar në organizatat amerikane e gjermane të sigurisë – që për arsye politike u shkarkua pa arsyetim nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani – është propozuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama, për drejtore të Shërbimit Informativ Shtetëror, ekuivalenti i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Vlora Hyseni dikur kishte udhëhequr AKI-në për katër muaj, gjatë periudhës sa institucioni që mbledh dhe shpërndan informacione të rëndësishme për shtetin te kryeministri dhe presidenti, kishte mbetur pa drejtor.

Ajo ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës që nga dhjetori i vitit 2020, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti.

Hyseni, nga informacionet që ka siguruar Albanian Post nga ish-kolegë të saj në AKI, përshkruhet si një eksperte e jashtëzakonshme e çështjeve të sigurisë dhe njohëse shumë e mirë marrëdhënieve ndërkombëtare.

Më 28 shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtore në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Ajo ishte emëruar për një mandat pesë vjeçar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Kur u emërua, u tha se ajo flet disa gjuhë të huaja.

Por, paraprakisht, ajo ka qenë drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.

Por 2 vite pas marrjes së mandatit si zëvendësdrejtore në AKI, më 30 qershor 2021, ajo u shkarkua nga kjo pozitë.

Presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kishin marrë vendim për ta shkarkuar.

Pa dhënë asnjë arsyetim për shkarkimin e saj, zyra e kryeministrit kishte treguar se Vlora Hyseni u shkarkua, duke u mbështetur në nenin 6 (paragrafi 4) të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Presidenca dhe ZKM-ja e kishin paralajmëruar Hysenin se mos ruajtja e informacioneve që ajo i posedon nga puna në AKI, do të mund t’i kushtonte asaj.

“Zbulimi ose mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”, thuhej në njoftim.

Në fakt, nga ajo që dihet jo zyrtarisht, e vetmja arsye përse Hyseni u shkarkuar kishte të bënte me lëvizje politike të duos Kurti-Osmani, prandaj edhe në njoftimin për shkakrim, nuk ishte dhënë asnjë arsye.

Për shkak të pozitës, Hyseni nuk ka zhvilluar profil publik dhe as nuk ishte deklaruar për shkarkimin e njëanshëm të saj.

Në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, në vitin 2019, Hyseni kishte, si zëvendës drejtore e AKI-së, nuk kishte deklaruar asgjë në pronësi të saj.

Një banesë 87 metra katrorë, një shtëpi 400 metra katrorë, një tokë 4 hektarë dhe një tokë e pyll 20 hektarë, ajo i ka deklaruar si pronësi të prindërve. Në AKK ajo ka deklaruar se është pronare e një veture në vlerë 18 mijë euro të cilën e ka blerë me kursime familjare.

Para të gatshme, ajo i kishte deklaruar 4 mijë e 446 euro në një nga bankat në Kosovë. Nga të cilat 4 mijë euro i ka marrë kredi në po të njëjtën bankë, “për nevoja personale” në shkurt të vitit 2019.

Vlora Hyseni kishte deklaruar se merrte rroge 2 mijë e 937 euro nga Qeveria e Kosovës. Dhe 3 mijë e 420 euro pension nga Qeveria e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore