Sport

Vllaznia mbyll dyert e stadiumit për ‘Tirona Fanatics’


Klubi i Vllaznisë ka njoftuar nëpërmjet një deklarate në Facebook, se në sfidën mes tyre dhe Tiranës nuk do të lejohet tifozeria mike ultrase “Tirona Fanatics”.

Vllaznia do të përballet me Tiranën në “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 16:45 e kësaj të shtune. Shkak për mos lejmin e tifozerisë mike janë bërë disa thirrje në mediat sociale të këtij grupimi që nxisin dhunën sipas klubi shkodran.

Kuqeblutë bëjnë me dije se kanë njoftuar klubin e Tiranës dhe Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) mbi këtë çështje, në mënyrë që të kishte reagim nga këta të fundit dhe postimi në mediat sociale të pastrohej nga fjalët e papërshtatshme.

Postimi i “Tirona Fanatics” që është parë si i papërshtatshëm nga fjalori nga ana e klubit të Vllaznisë

Duke mos pasur reagim nga klubi kryeqytetas dhe FSHF, Vllazania ka ndërmarrë hapin e fundit, duke mos lejuar tifozerinë mike në stadium.

“Klubi i Futbollit Vllaznia është i angazhuar maksimalisht në organizimin sa më të mirë të ndeshjes Vllaznia-Tirana duke u kujdesur maksimalisht për një qëndrim korrekt të tifozërive respektive në shkallët e stadiumit”, thuhet në njoftimin e klubit nga Shkodra.

“Konstatohet se grupimi “Tirona Fanatics” përmes faqes së tij zyrtare, në njoftimin dhe përgatitjen e tifozërisë tiranase për të marrë pjesë në këtë takim, ka lëshuar fyerje të cilat nxisin dhunë dhe janë të papranueshme për principet dhe misionin e futbollit”.

“Përsa më sipër, ditën e djeshme kemi njoftuar Federaten Shqiptare të Futbollit dhe Klubin e Futbollit Tirana për marrjen e masave të menjëhershme dhe heqjen e fjalëve të papërshtatshme në postimin e këtij grupimi”.

“Por, përtej angazhimit dhe mirëkuptimit të FSHF-së dhe Klubit Tirana, deri sot në mesditë nuk ka patur asnjë reagim duke mbetur e njëjta situatë”.

“Përsa më sipër, KF Vllaznia me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatave të dhunës, do të mbajë të mbyllura tribunat E4 dhe E5 të planifikuara për grupimin e tifozave të Tiranës. Ju falenderojmë për mirëkuptimin!”, përfundon njoftimi i Vllaznisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore