Shqipëria

Vjen vlerësimi nga Moddy’s: Shqipëria me perspektivë të qëndrueshme në ekonomi


Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Moddy’s konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B1”, si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Financës dhe e Ekonomisë, Anila Denaj, të shtunën e 22 majit përmes një postimi në median sociale Facebook.

Sipas agjencisë vlerësohet se ekonomia shqiptare u ndikua në mënyrë domethënëse nga pandemia dhe nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-s.

Megjithatë vlerësohet se rritja ekonomike do të rikthehet në 2021 dhe gjithashtu vlerëson se perspektiva e rritjes afatmesme mbetet e favorshme.

Po ashtu parashikohet se borxhi publik, pas një rritje domethënëse në 2020, do t’i rikthehet një trajektoreje rënëse, shkruhet në raport.

“Shqipëria hyri në goditjen e pandemisë me një pozicion fiskal më të fortë falë përmirësimeve në vitet e fundit. Përgjatë katër viteve përpara pandemisë (2016-2019) deficiti mesatar ishte 1.8% e PBB dhe borxhi ishte vendosur në një trajektore rënëse, gjë e cila mundësoi një hapësirë fiskale për kundërpërgjigje ndaj goditjes”, publikon agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Moddy’s.

Ndër të tjera, agjencia vlerëson se, ndërsa implementimi i strategjisë afatmesme të të ardhurave u shty si pasojë e pandemisë dhe vitit elektoral, përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave mbetet një element kyc për të mundësuar investimet kapitale të mëdha, të parashikuara përgjatë periudhës afat-mesme.

‘Dobësitë në pozicionin e jashtëm të ekonomisë mbeten të përmbajtura pavarësisht impaktit të pandemisë, ku parashikohet se dificiti i llogarisë korrente, pas një zgjerimi të përkohshëm në 2020 si rrjedhojë e rënies së fortë të të hyrave nga turizmi dhe remitancave, nga viti 2021 do të rikthehet sërish në nivelet përpara pandemisë dhe do të mbulohet kryesisht nga flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte”, shkruhet në raport ndërsa tregohet se, niveli i rezervave valutore të vendit mbetet adekuat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore