Lajme

Vizita e Karl Nehammer në Kosovë – Kristof Bender për AP: Retorika sterile të lihet anash, duhet konkretizim


Karl Nehammer

Vizita e Kancelarit të Austrisë, Karl Nehammer, në tri shtetet e Ballkanit Perëndimor, sipas hulumtuesit të lartë dhe zëvendëskryetarit të organizatës jo-qeveritare, European Stability Initiative, Kristof Bender, ka një qëllimi të vetëm – përsëritja e frazës se Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për Austrinë dhe Bashkimin Evropian.

Megjithatë, hulumtuesi i politikave të zgjerimit të BE-së mendon se retorikat sterile siç janë “e ardhmja e rajonit është në Bashkimin Evropian” duhet të lihen anash dhe të kalohet në fazën ku duhet të bëhen hapat konkrete në këtë drejtim.

Kjo për të vetmen arsye, “anëtarësimi i rajonit në BE ka humbur besueshmërinë dhe fuqinë e tij transformuese” thotë Bender për Albanian Post.

“Ajo që nevojitet është një ringjallje e vërtetë e procesit të anëtarësimit. Ai duhet të rivendoset si një proces i vërtetë transformimi dhe duhet të sigurojë sërish një vizion të besueshëm për një të ardhme të qëndrueshme, të begatë dhe demokratike për Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar ai.

Për ta rikthyer besimin e humbur të unionit evropian në Ballkanin Perëndimor hapi i parë që duhet bërë, sipas Bender është anëtarësimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tregun Unik të Bashkimit Evropian.

“Kjo mund të shpallet gjatë presidencës franceze, me një katalog të qartë dhe transparent të reformave që duhen bërë në të gjitha fushat përkatëse. Kjo është shumë ambicioze dhe kërkon shumë punë, por do të shmangte veton politike në çdo hap dhe çdo cep që e kanë dëmtuar kaq shumë procesin në 15 vitet e fundit”.

Kristof Bender

Heqja e menjëhershme e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, e cila sipas Bender është një hap shumë i vonuar duhet të jetë hapi tjetër i BE-së në atë mënyrë që ajo të tregojë se ka qasje serioze në rajon.

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, pas vizitës në Serbi e në Bosnje e Hercegovinë, këtë të premte pritet të ketë një vizitë zyrtare në Kosovë.

Nehammer i cili do të pritet me ceremoni shtetërore nga homologu i tij kosovarë, Albin Kurti do të takojë edhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Vizita e kancelarit austriak është e para në Kosovë prej kur e ka zëvendësuar ish-kancelarin austriak, Sebastian Kurz, i cili dha dorëheqje pasi përballej me akuzat se inkurajoi përdorimin e fondeve publike për interesat personale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore