Muzikë

Violinisti që bashkoi Tiranë-Athinë-Shkup


Jonian-Ilias Kadesha, Violinist

“Kadesha ka pamjen e një profesori të çmendur dhe stilin energjik të një Paganini”.

Kështu e përshkruante Peter Collins, kritiku muzikor britanik, Jonian-Ilias Kadeshën, violinistin shqiptaro-grek, i cili solli për publikun e Shkupit një koncert në kohë pandemie.

Filarmonia e Shkupit priti violinistin në një kohë të pazakontë, por që dhuroi emocion më shumë se në kohët e rëndomta. Skena e ndiente mungesën e një koncerti të tillë. Po aq e ndjenin edhe notat që dilnin nga violina e Kadeshës, mungesën e shprehive të lumtura të publikut, poshtë maskave që mbulonin kënaqësinë vizuale të tyre.

Pjesë nga Johannes Brahms dhe Ludwig van Beethoven ishin epiqendër e mbrëmjes. Të sjella nga një shqiptar në mes të Shkupit, tingëllonin akoma më bukur.

Kadesha prej vitesh jeton në Berlin. Ai, gjithsesi, flet shqip, greqisht, gjermanisht dhe anglisht. Jo vetëm kaq, por violinisti ka edhe një interes mbi filozofinë dhe retorikën.

Një personazh tërësisht atipik, nga dy vende tipike ballkanike.

Personaliteti i tij muzikor është gjithnjë në ndryshim. Kritikët e përshkruajnë si “një rrugëtim drejt diçkaje të re, të pazbuluar ende”.

Kënaqësia e këtij koncerti, nën masa të pandemisë dhe distancimit social, vërehej më së shumti te fytyrat e bandës frymore – të vetmit që nuk kishin detyrim të mbanin maskat.

Publikut, buzëqeshja, i dallohej në sy. Një përlotje e lehtë ia zbukuronte shikimin plot emocion, teksa përcillnin tingujt herë të qetë e herë të shpejtë të Kadeshës.

Një trinom kulturor u bashkua në një trinom që, jo pak herë, ka pasur mosmarrëveshje, shpesh edhe të mëdha.

Tiranë-Athinë-Shkup ishin bashkë – një – qoftë edhe për 60 minuta, nën të njëjtën simfoni, atë të Kadeshës.

Performanca e Jonian-Ilias Kadeshës, mund të shijohet virtualisht nëpërmjet videos në YouTube.

Jonian-Ilias Kadesha, gjatë performancës në Shkup
Filarmoia e Shkupit
Jonian-Ilias Kadesha gjatë koncertit në Shkup
Filarmonia e Shkupit
Publiku shijon shfaqjen e Jonian-Ilias Kadeshës në Shkup
Jonian-Ilias Kadesha gjatë performancës në Shkup
Jonian-Ilias Kadesha gjatë performancës në Shkup
Jonian-Ilias Kadesha gjatë performancës në Shkup
Filarmonia e Shkupit
Publiku duartroket performancën e Jonian-Ilias Kadeshës në Shkup

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore