Lajme

Vetëm 1 kërkesë për pjesëmarrje në zgjedhjet në Veri


Afat ka vetëm deri të hënën, por nga Komisioni Qendror Zgjedhor kanë njoftuar se deri këtë të premte, 18 nëntor, ka pasur vetëm një kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Kjo kërkesë është paraqitur në emër të subjektit politik Iniciativa Qytetare Mitrovica”, njoftohet nga KQZ.

“Pra, ky subjekt politik ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje vetëm në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, thuhet në njoftim.

Afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje ka filluar më 15 nëntor dhe do të përfundojë më 21 nëntor 2022.

Të gjitha subjektet politike (partitë politike, kandidatët e pavarur, koalicionet dhe iniciativat qytetare) të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në këto katër komuna kërkesat për certifikim duhet t’i dorëzojnë në KQZ.

Saktësisht, në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), gjatë orarit të punës nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, përmes një mbledhje virutale, në mes disa vendimeve ka marrë vendim edhe për shpërndarjen e Kuvendit Komunal të Zveçanit dhe Kuvendit Komunal të Leposaviqit “për shkak të jo funksionalitetit të tyre dhe si pasojë, pamundësisë së ushtrimit të kompetencave ligjore”.

Gogic, Arsenijevic, Trajkovic

Albanian Post ditë më parë realizoi intervista me politikanë opozitarë të Listës Serbe dhe analistë serbë në Kosovë, të cilët tërhiqnin vërejtjen se diçka e tillë mund të ndodhë, kur të gjithë do të bojkotojnë zgjedhjet.

Aleksandar Arsenijeviç, themelues i iniciativës qytetare “Mbijetesa Serbe” në Mitrovicën Veriore, i pati thënë AP-së se beson që nuk ka mundësi që zgjedhjet të mbahen më 18 dhjetor.

“Atmosfera është e tillë që nuk do të kishte kuptim të merrnim pjesë në ato zgjedhje. Nuk besojmë se do të marrin pjesë partitë serbe sepse nuk ka kushte elementare, vend për votim, stacion policor, prokurori dhe njerëz që do të sigurojnë të gjithë procesin”, theksoi Arsenijeviç.

Ai konsideronte që vendimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Veri, “ishte i nxituar”.

“Nuk ka kuptim që gjithçka të kryhet në një periudhë kaq të shkurtër kohore dhe të relaksohet situata e tensionuar”.

Në një linjë me Arsenijeviç-in, u tregua edhe politologu serb nga veriu, Ognjen Gogiç. Ky fundit mendon se “banorët vendas nuk do të jenë të gatshëm të votojnë”.

“Edhe ata që janë të interesuar të votojnë ndoshta do të jenë nën presion për të mos e bërë këtë. Vetëm shqiptarët dhe boshnjakët mund të marrin pjesë në zgjedhje”, pohon Gogiç.

Madje, ai theksonte se është gjithashtu e diskutueshme nëse do të jetë e mundur të organizohen zgjedhje nga ana logjistike, pasi ngre alarmimin se “mund të shfaqen edhe probleme tjera”.

“Serbët ndoshta nuk do të lejojnë që shkollat dhe ndërtesat e tjera të përdoren për zgjedhje. Sapo të formohen organet e reja komunale, ato do të kenë probleme me legjitimitetin. Serbët nuk do t’i pranojnë ato institucione si legjitime dhe nuk do t’i pranojnë vendimet e tyre”, shtoi ai.

Kurse, për politikanen nga Graçanica dhe ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës, Rada Trakoviç-in, serbët e veriut “janë të frikësuar nga Milan Radojiçiç-i” i cili dyshohej për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç.

“Nuk ka të drejtë të zgjedhë populli, ata janë krejtësisht të frikësuar, veprojnë të pafuqishëm, ju kërcënohet prona dhe jeta, zgjedhja e tyre është të bëjnë atë që u thonë të mbijetojnë duke pritur të bjerë maja e kartelit në Beograd”, tha Trajkoviç për Albanian Post.

Ajo shtoi se meqë Lista Serbe ka vendos të mos marr pjesë në zgjedhje, “kam frikë se do të kërcënohen ata që guxojnë të dalin të votojnë”.

Të dielën e gjashtë nëntorit, katër kryetarët e komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan kanë dhënë dorëheqje.

Sipas Kushtetutës, Kosova pas dorëheqjes së tyre duhet të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarët e këtyre komunave.

E gjithë kjo situatë erdhi pasi serbët vendosën që të braktisin institucionet e Kosovës në nivel politik dhe administrativ, meqë Qeveria fillojë implementimin e sekuencuar të vendimit për qortimin dhe gjobitjen e atyre që bartin targa ilegale të prodhuara në Serbi.

Lajmi në përditësim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore