Shqipëria

Veprimi i policisë së komunitetit serb është provokues dhe i rrezikshëm, thotë KASH-ja


Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e ka konsideruar veprimin e policisë së komunitetit serb në Veri të Kosovës si “kundërligjor, provokues dhe të rrezikshëm”.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë po përcjell me shqetësim zhvillimet në komunat veriore të Republikës së Kosovës, të banuara me shumicë të popullsisë serbe. Refuzimi i zbatimit të urdhërave ligjorë të strukturës drejtuese të policisë së Kosovës, nga eprorët e policisë të komunitetit serb në veri, është veprim jo vetëm kundër ligjor, por dhe provokues e i rrezikshëm”, vëren fillimisht reagimi.

Sipas tyre, e gjitha drejtohet nga Beogradi zyrtar, dhe mbetet një lojë e rrezikshme.

“Tensionimi i situatës në komunat veriore të Repubilkës së Kosovës dhe dirigjimi i këtij tensionimi nga struktura që drejtohen nga Beogradi, është një lojë e rrezikshme. Për më tepër, kur kjo përkon me tendencën e vazhdueshme të Rusisë së Putinit për të përshkallëzuar luftën agresive në Ukrainë”, shton reagimi i KASH-së.

Për organizatën me ish-diplomatë shqiptarë, në asnjë shtet nuk mund të këtë dy sisteme juridike dhe institucionale paralele.

“Repubilka e Kosovës është shtet sovran dhe demokratik, që ofron garanci kushtetuese dhe ligjore pakrahasimisht të larta për pakicat etnike”, thekson këshilli.

Në përmbyllje të reagimit KASH-ja sqaroi se mbështet çdo veprim të shtetit të Kosovës për të mbrojtur rendin demokratik dhe bëri thirrje për ulje të tensioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore