Shqipëria

Vendoret e Durrësit, mes cekëtinës opozitare dhe dominimit socialist


Kanë kaluar plot 20 vite që prej triumfit të fundit demokrat në Bashkinë e Durrësit.

Kjo mund të motivohet me një sërë shkaqesh. Por, hegjemonia 12-vjeçare e ish-kryebashkiakut socialist, Vangjush Dako, e zhyti opozitën në një cekëtinë përfaqësimi prej kohësh.

Zgjedhjet e pjesshme vendore në Durrës do të jenë një test i fortë për dy kandidatët, që do përpiqen të rrokin ulësen e administratorit të qytetit të dytë më të populluar në Shqipëri.

I pari vjen nga selia blu, Luan Hoti. Ndërsa i dyti përfaqëson nismën më të re opozitare nën siglën e “Shtëpisë së Lirisë”, Ardian Muka.

Nga ana tjetër, për kryebashkiaken aktuale Emirjana Sako do të jetë përballja e parë dhe më e rëndësishmja pas marrjes së kësaj detyre më 23 prill të vitit 2020.

Në historikun e kësaj bashkie, Sako është precedenti i tretë i një administrimi në mandat e sipër.

Fillimisht ishte intelektuali i ndjerë, Nevruz Çela, që do të emërohej kryebashkiak në zgjedhjet e vitit 1992. Post, të cilin do ta mbante për vetëm katër muaj.

I dyti në radhë do të ishte pikërisht pasuesi i tij, Shkëlzen Jakova.

Ai do t’i dorëzonte çelësat e qytetit në shtator të vitit 1992, duke e drejtuar për pesë muaj.

Historiku i mosnjohjeve

Në vitin 2001, harta e Shqipërisë do të ngjyrosej me fitoren e gjerë të socialistëve.

Partia Socialiste do të merrte drejtimin e bashkive kryesore, të drejtuara që nga viti 1992 prej demokratëve.

PS-ja fitoi 28 bashki dhe 110 komuna ndërsa PD-ja 9 bashki dhe 58 komuna.

Opozita nuk i njohu zgjedhjet.

Asnjëherë më parë dy partitë kryesore politike nuk kishin pasur distancë më të afërt sesa në lokalet e vitit 2003, me një diferencë prej vetëm 2 për qind.

PS-ja fitoi rreth 410 mijë vota ose 34 për qind, kurse PD-ja 382 mijë vota dhe rreth 32 për qind.

Opozita e kohës do të fitonte në Elbasan e Korçë, ndërsa do të humbte bashkitë kryesore në Tiranë e Durrës.

Përsëri opozita nuk i njohu zgjedhjet në tërësi e veçanërisht aty ku humbi.

Emirjana Sako

Kryebashkiakja e Durrësit ka një përgatitje profesionale si arkitekte.

Sako mban mbi supe mbi 12 vite punë progresive në fushën e zhvillimit të qytetit të Durrësit.

39-vjeçarja, “vendalie” e Durrësit, ka punuar si specialiste e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit.

Administratorja gëzon dy eksperienca në poste drejtuese: fillimisht si drejtoreshë e Shërbimeve Publike dhe, më pas, si drejtoreshë e Përgjithshme e Punëve Publike.

Para se të merrte drejtimin e qytetit bregdetar, ajo u emërua si zëvendëskryetare e Bashkisë Durrës.

Në kurrikulumin e saj cilësohet pjesëmarrja në të gjitha projektet më të mëdha të Durrësit.

Kjo, duke bashkëpunuar edhe me studio të njohura ndërkombëtare lidhur me to.

Sako ishte një nga hartueset e planit të përgjithshëm vendor dhe bashkëprojektuese e disa prej projekteve më të mëdha urbane në qytet.

“Ka qenë një periudhë e vështirë, pasi pandemia ne na gjeti dhe me një goditje të jashtëzakonshme tërmeti të 26 nëntorit”, rrëfen kryebashkiakja Emirjana Sako për Albanian Post.

Ajo sqaron se mandati nuk ka qenë i thjeshtë dhe se viti ishte i mbushur me sfida.

Sako thekson se ajo që i ka bërë optimistë ka qenë pikërisht “vullneti dhe dëshira” për të punuar me gjithë qytetarët e Durrësit.

Fronti opozitar

Selia blu do të regjistrojë zgjedhjet e para të ndara në dy fronte – ajo zyrtare dhe ajo e ish-liderit demokrat, Sali Berisha, nën siglën e “Shtëpisë së Lirisë”.

Luan Hoti është kandidati nga radhët e PD-së, që do përpiqet të rikthejë fitoren në një qytet që ka ndryshuar preferencën “politike”.

Me një përgatitje juridike, Hoti do rreket të vendosë diktatin nën moton “Bashkë për Durrësin”.

Kandidati është i lindur në Durrës dhe banon në qytetin bregdetar.

Në kurrikulumin e tij, ai regjistron pesë vite si ndihmësgjyqtar, pra në profesionin e tij.

Më pas, Hoti ka përvijuar karrierën e tij juridike në Zyrën Përmbarimore të Durrësit.

51-vjeçari është pjesë e strukturave të Partisë Demokratike prej 15 vitesh.

Ndër eksperiencat brenda demokratëve, Luan Hoti numëron ato si kryetar apo sekretar grup-seksioni dhe dege.

Një tjetër emër i njohur për qytetarët e Durrësit do të vendoset përballë dy kandidatëve të lartpërmendur.

Ardian Muka është kandidati që doli nga primaret e Komisionit të Rithemelimit.

Me premtime që përpiqen të afrojnë qytetarin me Durrësin, Muka nuk vendos limite.

Madje, ai shkon deri aty sa propozon që qytetarëve durrsakë t’u kthehet pronësia e portit dhe jo “arabëve”.

Muka ka qenë aktiv për kauza të natyrës arkitektonike. Kjo, për shkak të përgatitjes së tij si urbanist.

Pikërisht këtë profesion e ushtroi edhe në Bashkinë e Durrësit nga viti 1990 deri në vitin 1991.

Me kthimin e tij nga Italia, 55-vjeçari iu përkushtua sipërmarrjes, duke u bërë pronar dhe aksioner në gjashtë biznese.

Nga viti 2007, Muka është pjesë e strukturave të Partisë Demokratike si anëtar kryesie.

“Unë besoj te vlerat e traditës, unë besoj te familja, te prona, te morali, prandaj zgjodha Berishën dhe atë çfarë ‘Shtëpia e Lirisë’ përfaqëson”, theksoi Muka gjatë fjalës së tij para mbështetësve.

Zonat “nevralgjike”

Dy janë zonat më nevralgjike që kanë marrë dhe vëmendjen kryesore të akuzave të ndërsjella mes palëve – Porti i Durrësit dhe Rindërtimi.

Nga fundi i marsit ose fillimi i prillit do të nisë ndërtimi i portit të ri.

Drejtuesi i kompanisë “Emaar Group”, Mohamed El Alabbar, do e bënte të ditur në ditën e fundit të vitit 2021.

Ai gjendej në zonën e inspektimit, në shoqërinë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe zyrtarëve të tjerë shqiptarë.

El Alabbar tha se Porti i Durrësit “do të jetë ndër më të mirat në Mesdhe”.

Drejtuesi paralajmëroi gjithashtu se vlera e pasurive të paluajtshme “do të rritet”.

“Porti i Durrësit do të jetë Dubai i Mesdheut”, do të ishte premtimi i Ramës gjatë një takimi elektoral.

Sa i takon Procesit të Rindërtimit, në Durrës janë 9 lote dhe afërsisht 600 objekte, të cilat janë në proces.

Sipas shifrave të vëna në dispozicion nga Bashkia Durrës është përfunduar punë në 400 prej këtyre objekteve, pra rreth 3 mijë e 900.

Kryebashkiakja garantoi se katër mijë familje i janë rikthyer një jete normale me grantet që kanë marre vetë për të kryer riparimin e ambienteve të brendshme dhe për ambientet e përbashkëta.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i dërgoi një letër zyrtare Bashkisë së Durrësit për informacion.

Kjo, pas pretendimeve të ngritura nga PD-ja dhe LSI-ja se po shpërndahen fondet e rindërtimit për qëllime elektorale.

Referuar akuzave, bashkia ka miratuar vendime për shpërndarjen e fondeve të rindërtimit për banesat e dëmtuara – në mënyrë selektive.

KQZ-ja ka insistuar që të jepen shpjegime për procedurën e ndjekur për ndarjen e këtyre fondeve.

6 mars

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, do të dekretonte datën 6 mars për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme.

Përveç Durrësit, janë edhe pesë bashki që “do të riformatohen” ose do të zgjasin mandatin e tyre ekzistues – Shkodër, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë.

Një arkitekte, një jurist dhe një urbanist janë në garë për të çuar përpara përgatitjet për maratonën e plotë vendore të vitit 2023.

Deri atëherë, Sako do të tentojë konfirmimin e punëve të saj në krye të institucionit, ndërsa Hoti dhe Muka do përpiqen të tejkalojnë luftën e brendshme politike.

Një gjë është e sigurt, Durrësi renditet në rangun e bashkive prestigjioze jo vetëm për zhvillimin dhe numrin e banorëve, por edhe për vlerat historike.

E kush më mirë se një “vendali” mund t’ia njohë qytetit këtë trashëgimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore