Shqipëria

Vendimi i GJKKO-së, Bllako do bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë


Alqi Bllako do i bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë vendimit të Apelit të Posaçëm i cili e riktheu në qeli.

Lajmi u bë i ditur nga avokati ish-deputetit socialist, Sokol Azizaj, gjatë një deklarate për mediat.

“Bllako erdhi vetë në gjykatë se nuk përbën rrezik. Bllako në rastin konkret nën hetim, nuk është person i zgjedhur, referenca ndaj tij është e gabuar. Do bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë”, u shpreh fillimisht Azizaj.

Sipas tij, nuk kuptohet pse është vendosur kjo masë, përkundër sjelljeve të Bllakos, që ka lënë mandatin e deputetit.

“Është paraqitur para organeve të drejtësisë. Si mund të prishë provat kur hetimi ndaj kësaj çështje është duke përfunduar”, shtoi avokati i Bllakos.

Azizaj tha më tej se e vërteta është se kjo gjykatë është kthyer në një fabul popullore, “ik se të vrava, dhe zbrit se të vrava”.

Alqi Bllako do të rikthehet në qeli pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit (GJKKO).

Trupa gjykuese ishte e përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.

Në këtë mënyrë, institucioni i drejtësisë pranoi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Apeli i Posaçëm riktheu vazhdimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “arrest në burg”.

Kjo e fundit u caktua më 31 mars nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Apeli i Posaçëm pranoi më herët kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për rikthimin në qeli të Bllakos pasi qëndroi 34 ditë në arrest shtëpie.

SPAK kërkoi rikthimin e masës së sigurisë ndaj ish-deputetit Alqi Bllako, pasi Gjykata vendosi zëvendësimin e masës së sigurisë për Bllakon nga arrest me burg në arrest shtëpie.

Arsyetimi i Gjykatës ishte kujdesi për tre fëmijët e mitur.

Kjo pasi gjendja e familjes së tij është “e rënduar dhe pa përkujdesje, sepse bashkëshortja e Bllakos është e punësuar dhe lëviz nëpër rrethe”.

Bllako u arrestua me kërkesë të SPAK-ut më 1 prill, pasi hoqi dorë nga mandati i deputetit që i jepte mbrojtje ligjore.

Ish-deputeti akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” gjatë kohës që mbante postin e këshilltarit në Ministrinë e Mjedisit.

SPAK-u e ka akuzuar Alqi Bllakon se, në bashkëpunim me Lefter Kokën dhe zyrtarë vendorë në Fier, kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë ndryshuar destinacionin e pronës ku do të ndërtohej inceneratori.

Sipas Prokurorisë, ish-deputeti Bllako ka favorizuar kompaninë fituese të inceneratorit të Fierit dhe ka marrë si ryshfet shumën prej 14.9 milionë lekësh në formën e pagesave që janë kaluar për llogari të babait të tij, Edmond Bllako.

Disa ditë më parë, kjo Gjykatë theksoi se duhet të vijohet zbatimi i masës arrest me burg edhe për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka. Ky i fundit dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore